Ballina Flash

Situata e zjarreve, Peleshi: Problematike vatrat në Thirrë dhe Dukat, po operojnë 3 helikopterë


TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi raportoi sot mbi situatën më të fundit të zjarreve në vend.

Peleshi bëri të ditur se situata është dinamike për shkak se ka aktivizime dhe riaktivizime të vatrave të zjarrit.

Sipas tij, dy janë vatrat me problematike të zjarrit për momentin, ajo në Thirrë, pranë tunelit të Kalimashit, si dhe dhe ajo në Dukat.

“Një tjetër vatër serioze është ajo në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, ku puna vijon për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri”, tha Peleshi.

Ndërkohë, ministri theksoi se vatra aktive është në Majën e Rrunës, në qarkun e Kukësit, në luginën e Fanit, ndërsa janë nën kontroll vatrat e zjarrit në Vermosh, Durrës dhe në Cakran të Fierit. Ndërsa në Gjirokastër, tha ai, nuk ka vatër aktive.

Në Karaburun, informoi ministri, janë 2 vatra zjarri, ndërsa është inaktive vatra e zjarrit në Gjirin e Gramës.

Për të shuar zjarret në vend, ministri tha se janë 3 helikopterë, 2 në Dukat dhe një në Thirrë.

Sipas ministrit, gjatë gjithë natës është punuar me të gjitha forcat dhe mjetet në Dukat për të larguar zjarrin nga fshati.

Aktualisht, informoi ai, janë 2 vatra zjarri aktive dhe po punohet në mënyrë që flakët të mos shkojnë drejt Parkut të Llogorasë, rreth 2 km më tej.

“Janë situata shumë komplekse. Nuk na kanë gjetur pa përgatitur dhe kemi ndërhyrë në kohë, por jemi në luftë me forcat e natyrës dhe situata është menaxhuar shumë mirë deri tani”, tha ministri.

Peleshi siguroi se do të ndërhyhet em të gjitha mjetet dhe forcat për të mos lejuar prekjen e Parkut të Llogorasë nga zjarri.

Janë raportuar edhe disa vatra të reja, njëra në fshatin Patalej në Lezhë, një tjetër vatër në Gjallicë në Kukës me përmasa të vogla si dhe një vatër në fshatin Cakran të Fierit, e cila ishte shuar 10 ditë më parë nga FA dhe është riaktivizuar.

Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes dhe përmasave që po marrin flakët kanë shkuar në ndihmë edhe 40 efektivë të FA.

Një vatër e re është njoftuar në pyllin e fshatit Gjorgos në Fier, ku për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Rroskovecit.

Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodnonit në Durrës. Këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZjarri përfshin pyllin pranë fshatit Krushovë në Voskopojë, niset helikopteri për shuarjen e flakëve
Artikulli tjetërPeleshi: Zjarri në Krushovë i qëllimshëm, situatë e vështirë në Thirrë