Ballina Bota

NJU JORK – OKB-ja zgjedh pesë gjyqtarë të rinj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

NJU JORK, 4 nëntor /ATSH/ – Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kanë zgjedhur pesë gjyqtarë të rinj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), për mandate nëntëvjeçare që do të fillojnë më 6 shkurt 2027, sipas “Al Jazeera”.

Gjyqtarët e zgjedhur janë Dapo Akande nga Mbretëria e Bashkuar, François Alabrune nga Franca, Mahmoud Daifallah Hmoud nga Jordania, Rena Lee nga Singapori dhe Phoebe Okowa nga Kenia.

Zgjedhjet u zhvilluan më 3 nëntor në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, për të plotësuar pesë vendet që do të mbeten bosh pas përfundimit të mandateve aktuale, më 5 shkurt 2027.

Procesi përfshiu disa raunde votimi, pasi kandidatët duhet të siguronin shumicën absolute si në Asamblenë e Përgjithshme, ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit.

Katër kandidatët e parë arritën të siguronin mbështetjen e nevojshme që në raundin e parë. Për vendin e pestë pati mospajtim mes dy institucioneve, pasi Këshilli i Sigurimit mbështeti kandidatin nga Ekuadori, Marcelo Vázquez-Bermúdez, ndërsa Asambleja e Përgjithshme mbështeti kandidaten nga Kenia, Phoebe Okowa.

Pas disa raundesh të tjera votimi, kandidati nga Ekuadori u tërhoq nga gara dhe Okowa arriti të siguronte shumicën e nevojshme në të dyja institucionet.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi kryesor gjyqësor i OKB-së dhe ka selinë në Hagë të Holandës. Ajo përbëhet nga 15 gjyqtarë, të cilët zgjidhen për mandate nëntëvjeçare dhe shqyrtojnë mosmarrëveshjet juridike ndërmjet shteteve, si dhe japin opinione këshillimore për çështje të së drejtës ndërkombëtare.

Pesë vende në përbërjen e gjykatës rinovohen çdo tre vjet, për të garantuar vazhdimësinë e punës së saj.

Zgjedhja e gjyqtarëve të rinj vjen në një kohë kur gjykata po përballet me një numër rekord çështjesh, përfshirë mosmarrëveshje që lidhen me konfliktet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe interpretimin e traktateve ndërkombëtare.

Presidenti i gjykatës, Yuji Iwasawa, ka bërë të ditur se në shqyrtim janë 24 çështje kontestimore. Ndër to është edhe padia e Afrikës së Jugut kundër Izraelit, lidhur me pretendimet për shkelje të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit gjatë luftës në Gaza.

Gjykata pritet të vazhdojë kështu rolin e saj në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve dhe në interpretimin e së drejtës ndërkombëtare. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKapen tre persona në kërkim, njëri i dënuar me 20 vite burgim për vrasje në Itali
Artikulli tjetërZëvendësimi i kripës së zakonshme në atë me kalium parandalon tre milionë vdekje në vit në mbarë botën