TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Arsimi profesional dhe tregu i punës do të mbështeten me 8,9 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit 2027, nga të cilat 5,07 miliardë lekë janë për arsimin e mesëm profesional dhe 3,83 miliardë lekë janë për tregun e punës.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi se forcimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij me sipërmarrjen janë ndër drejtimet kryesore të politikave për zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen e fuqisë punëtore sipas kërkesave të tregut.
“Forcimi i lidhjes nëpërmjet arsimit profesional, qendrave të formimit dhe sipërmarrjes është në qendër të politikave tona, me synimin që të rinjtë të përgatiten për profesione që kërkohen nga tregu dhe bizneset të kenë akses në fuqi punëtore të kualifikuar që i nevojitet”, u shpreh Ibrahimaj.
Për arsimin e mesëm profesional, projektbuxheti parashikon financimin e funksionimit të shkollave, personelit mësimor, mbështetjes së nxënësve dhe investimeve në infrastrukturë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes së drejtpërdrejtë të nxënësve, me 457,4 milionë lekë për bursa dhe 24 milionë lekë për subvencionimin e teksteve mësimore.
Në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, Ibrahimaj theksoi se për vitin 2027 janë parashikuar rreth 1,22 miliardë lekë për investime kapitale, nga të cilat 742 milionë lekë financime të brendshme dhe 480 milionë lekë financim i huaj.
Ndër projektet e planifikuara përfshihen shkolla “Karl Gega” në Tiranë, shkolla industriale “Pavarësia” në Vlorë, Shkolla Teknike në Korçë, shkolla “Hasan Gina” në Lushnjë, “Bajram Curri” në Kukës, “Enver Qiraxhi” në Pogradec, si dhe shkollat “Arben Broci” dhe “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Ibrahimaj theksoi se gjatë vitit shkollor 2024-2025, në kualifikimet duale ishin përfshirë 260 nxënës. Ndërsa në vitin shkollor 2025-2026, ky numër arriti në 400 nxënës, me një rritje prej 39%.
“Ky model krijon mundësinë nxënësve të mësojnë profesionin në kushte reale pune dhe i jep bizneseve një rol më aktiv në përgatitjen e punonjësve për të ardhmen”, theksoi Ibrahimaj.
Për vitin 2027 parashikohet shtimi i 38 mësuesve për arsimin dual, si dhe i 40 oficerëve të sigurisë. Paralelisht, do të vijojë përditësimi i kurrikulave, standardeve profesionale dhe kualifikimeve, me synimin që arsimi profesional t’u përgjigjet më mirë nevojave të punëdhënësve.
Një nga objektivat e përcaktuar për vitin 2027 është që 68% e të diplomuarve ose të certifikuarve në arsimin dhe formimin profesional të jenë të punësuar brenda një viti nga përfundimi i programeve.
“Ky është një tregues i rëndësishëm, sepse na lejon të vlerësojmë rezultatet e sistemit në lidhje me tregun e punës dhe jo thjesht me numrat e nxënësve që ndjekin arsimin profesional”, u shpreh ministrja.
Në tregun e punës, Ibrahimaj theksoi se në vitin 2027 janë parashikuar 218 milionë lekë investime kapitale për përmirësimin e qendrave të formimit profesional dhe të shërbimeve publike të punësimit.
/m.m/r.e/a.f/























