Ballina Ekonomi

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja maksimale të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë, në mbështetje të vendimit për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.

Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) nuk do të jetë më shumë se 216 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 204 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal është përcaktuar në 172 lekë për litër me pakicë dhe 160 lekë për litër me shumicë.

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 4 nëntor, në orën 14:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë të ditur se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.

/gj.m/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“32 imazhe, 32 histori”, ATSH sjell udhëtim në kohë në Klik Ekspo Group
Artikulli tjetërKQZ kërkon 85,5 milionë lekë shtesë në buxhetin e vitit 2027, në fokus teknologjia e informacionit