TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës kanë realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale miniinvazive te një pacient 64-vjeçar, i cili kishte pësuar frakturë të femurit.
Ndërhyrja është kryer nga dr. Drini Bardhi, në bashkëpunim me ekipin mjekësor të shërbimit të Ortopedi-Traumatologjisë, duke përdorur një teknikë të avancuar kirurgjikale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur sot se kjo metodë mundëson mobilizimin e hershëm të pacientit dhe një proces më të shpejtë rikuperimi.
“Një tjetër rast suksesi i realizuar nga mjekët tanë profesionistë. Dr. Drini Bardhi së bashku me ekipin mjekësor të ortopedi-traumatologjisë në Spitalin Universitar të Traumës, kanë realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale miniinvazive tek një pacient 64-vjeçar me frakturë të femurit, përmes një teknike të avancuar që mundëson mobilizimin e hershëm dhe rikuperimin më të shpejtë”, thuhet në njoftimin për shtyp të MSHMS-së.
Ndërhyrja përbën një tjetër rast suksesi për ekipin mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës dhe dëshmon rëndësinë e aplikimit të teknikave bashkëkohore në trajtimin e frakturave.
/m.m/r.e/a.f/




















