Ballina Flash

Shqipëria mirëpret edicionin e 20-të të Konferencës së Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Shqipëria do të mirëpresë, në datat 8-11 nëntor 2026, edicionin e 20-të të Konferencës Vjetore të Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shkruan në rrjetet sociale se takimi jubilar do të zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) dhe UNESCO-s, duke mbledhur në Shqipëri ekspertë dhe përfaqësues nga vendet e Evropës Juglindore.

“Ky takim jubilar sjell së bashku ekspertë dhe përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe qasje të reja në ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore jomateriale te brezat e ardhshëm.

Pritja e këtij takimi në Shqipëri konfirmon rolin aktiv dhe angazhimin e vendit tonë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si një pasuri e gjallë që ruan identitetin, kujtesën dhe traditat e komuniteteve tona. Nga mjeshtëritë tradicionale te ritualet, festat, muzika dhe dijet e trashëguara ndër breza, trashëgimia kulturore jomateriale është një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen”, përfundon Gonxhja.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Numri i azilkërkuesve të rinj bie me 35%, niveli më i ulët që nga tetori i 2011-ës
Artikulli tjetërIKMT Dibër bllokon dy raste të transportit pa dokumentacion ligjor të lëndëve drusore