Ballina Flash

Sekuestrohet heroinë në vlerë mbi gjysmë milion euro, arrestohen pesë persona

PRISHTINË, 4 nëntor /ATSH/ Pesë persona janë arrestuar dhe 37 kilogramë heroinë janë sekuestruar gjatë një operacioni kundër krimit të organizuar në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se operacioni është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas tij, droga e sekuestruar ishte e ndarë në 62 paketime, ndërsa vlera e saj në treg tejkalon gjysmë milion euro.

“Edhe një grup kriminal ndërkombëtar është goditur falë punës profesionale dhe angazhimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka njoftuar se 5 të dyshuarit janë arrestuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Ministri ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

“Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka deklaruar Sveçla.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPANJË – Pak ditë pas përplasjes vdekjeprurëse të trenit jep dorëheqjen ministri i Transportit
Artikulli tjetërSmart City, Demo: Rreth 3 miliardë lekë për teknologjinë në shërbim të sigurisë publike