Ballina Aktualitet

Gogu: 250 milionë lekë për spitalin forensik, ndërtimi nis në fillim të vitit 2027

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu

TIRANË, 4 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Drejtësisë Toni Gogu bëri të ditur sot se në projektbuxhetin për vitin 2027 për Ministrinë e Drejtësisë janë akorduar 250 milionë lekë për spitalin forensik*, ndërtimi i të cilit nis në fillim të vitit.

Gjatë raportimit në komisionin e Ligjeve mbi projketbuxhetin 2027, Gogu iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të komsionit, Ulsi Manja, lidhur me menaxhimin e këtij spitali.

“Do të fillojë transformimi i EVP-së Shënkoll në një spital. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka një fitues që do të zbatojë një kontratë në fillim të vitit, me vlerën 250 milionë lekë për ndërtimin e dy godinave të para spitalore. Më pas do të vijojmë dhe me godinat e tjera”, tha Gogu.

Gogu sqaroi se shërbimi shëndetësor në këtë spital do të ofrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tërhiqet në ruajtjen e perimetrit të jashtëm të institucionit.

“Nga ky moment ai fillon të jetë spital dhe jo më institucion i ekzekutimit të veprave penale. Në fillim të vitit 2027 nis ndërtimi i godinave spitalore brenda institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale”, theksoi Gogu.

Sipas tij, plani është edhe më agresiv që i gjithë shërbimi shëndetësor në sistemin penitenciar të kalojë në varësi të MSHMS dhe trajtimi i këtyre mjekëve të jetë i barazvlefshëm me mjekët në shërbimin civil.

Po ashtu ministri informoi se Instituti për Riedukimin dhe Riintegrimin e të rinjve në konflikt me ligjin në Mëzez përfundon brenda këtij viti, ndërkohë që brenda gjashtëmujorit të parë të 2027-ës do të fillojë ofrimin e shërbimeve në nivel kombëtar.

(* – institucion i specializuar mjekësor që ofron trajtim psikiatrik dhe kujdes për individët që kanë kryer vepra penale, por që vuajnë nga sëmundje të rënda mendore – shën. i red.)

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMacron uron presidenten Shiroka-Pula: Me rëndësi normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë
Artikulli tjetërProjektbuxheti 2027, 3,83 miliardë lekë për nxitjen e punësimit dhe formimin profesional në vitin 2027