Ballina Flash

Spahiu: Këshilli Kombëtar i të Moshuarve, një zë i drejtpërdrejtë në vendimmarrje

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Forcimi i politikave për moshimin aktiv dhe të shëndetshëm, zgjerimi i shërbimeve shëndetësore e sociale dhe përfshirja e të moshuarve në vendimmarrje janë drejtimet kryesore të politikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Një nga nismat e reja është ngritja, për herë të parë, e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Moshimin 2025–2030.

Gjatë fjalës së saj në Konferencën Kombëtare mbi Moshimin Aktiv dhe Gjithëpërfshirës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi se plani i ri synon të shkojë përtej kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes sociale, duke garantuar edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë të të moshuarve në proceset vendimmarrëse.

“Ne kemi një plan kombëtar veprimi për moshimin, i cili është plani i dytë dhe që vjen me sfida të reja. Plani 2025–2030 është shumë më ambicioz. Synojmë politika mbështetëse jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në atë shoqëror e social. Një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, sepse është thelbësore që zëri i tyre të dëgjohet. Vetëm duke dëgjuar nevojat dhe shqetësimet e tyre mund të ndërtojmë politika që u përgjigjen realisht atyre”, u shpreh ministrja Spahiu.

Një tjetër instrument mbështetës është Linja Falas e Këshillimit për të Moshuarit, e ngritur sipas praktikave të mira evropiane, e cila ofron informacion, orientim dhe këshillim, veçanërisht për personat që jetojnë në zona të largëta të vendit.

Në fokus mbetet edhe zgjerimi i shërbimeve sociale pranë komuniteteve. Përmes Fondit Social janë mbështetur 98 shërbime të reja, nga të cilat 25 u dedikohen të moshuarve. Buxheti 2027 synon të garantojë vijimësinë e financimit dhe forcimin e këtyre shërbimeve, duke mundësuar kujdes më të qëndrueshëm dhe më pranë vendbanimit.

Në drejtim të shëndetit publik, një hap i rëndësishëm është zgjerimi i programit të kontrollit mjekësor falas, përmes heqjes së kufirit të sipërm të moshës, duke përfshirë edhe të moshuarit në shërbimet e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm.

Paralelisht, po zgjerohet kujdesi i specializuar për këtë grupmoshë përmes ngritjes së shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe punës për shtrirjen e tij në katër spitale bashkiake, me synimin për të mbuluar të gjitha zonat gjeografike të vendit.

“Një politikë e re, për të cilën kemi punuar intensivisht në bashkëpunim edhe me Institutin e Shëndetit Publik, është ngritja e shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Po punojmë që këtë shërbim ta bëjmë të mundur edhe në katër prej spitaleve bashkiake të Shqipërisë, në mënyrë që kujdesi i specializuar të shtrihet në të gjitha zonat gjeografike”, tha ministrja Spahiu.

Përmes këtyre nismave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon të ndërtojë një model më të integruar kujdesi për të moshuarit, ku shërbimet shëndetësore dhe sociale ndërthuren me përfshirjen e tyre aktive në shoqëri dhe vendimmarrje, duke garantuar më shumë dinjitet, siguri dhe cilësi jete.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRaporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim
Artikulli tjetërSHBA, mbi 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen e Shqipërisë ndaj kërcënimeve kibernetike