TIRANË, 8 gusht /ATSH/-Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha në afërsi të fshatit Krushovë, në njësisë administrative të Voskopojës.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi nga Krushova se 5 vatra të vogla u aktivizuan brenda një kohe të shkurtër, duke bërë që flakët të përhapen në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Ministri theksoi se trupat e specializuara do të ndërhyjnë në vatra pasi të largohet tymi, për të mos lejuar që zjarri t’i afrohet Voskopojës.
“Patëm një shpërthim zjarri, një vatër që nuk nxitoj nëse them që është e qëllimshme, pasi patëm 5 vatra të rrezikshme në malin përballë. Është shumë e rrezikshme si vatër sepse është pyll i dendur me bimësi të ndryshme dhe zjarri ka shpërthyer në zemër të këtij pylli. Ka disa rrethana pozitive sepse nga njëra anë kufizohet me një përrua, në anën tjetër me një sipërfaqe disi më të zhveshur dhe kemi një fron të përcaktuar se ku do ta presim zjarrin”, theksoi Peleshi duke shtuar se “tymi është aq i dendur saqë nuk i lejon forcat të futen dhe të bëjnë ndërhyrjen e tyre. Duket që ka një zgjidhje teorike, sapo të bjerë tymi më kanë garantuar të gjithë ekspertët që ta shmangin. Është fatalitet nëse do të dështonim këtu”.
Ai nênvizoi se risku është shumë i lartë nëse kapërcen flaka në pjesën më të dendur të Voskopojës.
Peleshi u shpreh se zjarret në këtë pjesë të territorit janë të qëllimshëm, pasi është mjaft freskët për të pasur aktivizime natyrore.
“Ka patur arrestime sot. Ka shumë njerëz që janë në hetime dhe në ndjekje. Deri tani ka kaluar numri 10 i arrestimeve. Nuk janë arrestime kot sa për të larë gojën. Kam dhënë mesazhe që edhe komuniteti të na japë informacion për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm, për të vënë në kohë edhe sa më herët nën kontroll vatrat. Nëse një vatër e vogël kapet në kohë shmang të madhen”, tha ministri.
Gjithashtu, ministri shprehu shqetësimin për vatrën në Thirrë, në Tunelin e Kalimashit duke theksuar se është situatë e vështirë, por po bëhen pëpjekje që të mbahet nën kontroll.























