Ballina Flash

Projektbuxheti 2027, rriten pagat e policëve: 23.600 lekë më shumë për inspektorët, 15 mijë për gradat e tjera

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili parashikon një fond prej rreth 40 miliardë lekësh, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026.

Ky është niveli më i lartë i mbështetjes buxhetore për Ministrinë ndër vite dhe synon forcimin e sigurisë publike, rritjen e profesionalizmit të strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë prezantimit, ministri Demo theksoi se siguria publike nuk është thjesht një zë në buxhetin e shtetit, por një përgjegjësi themelore e qeverisjes dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, funksionimin e shoqërisë dhe besimin e qytetarëve te institucionet.

Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tre prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Një nga elementet kryesore të projektbuxhetit është rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të cilën janë parashikuar 3,3 miliardë lekë. Për 8174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, parashikohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare arrin në 23.600 lekë në muaj, ose 27%. Ndërsa për punonjësit me grada të tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj, me një efekt mesatar që varion nga 8% deri në 17%, duke përfshirë edhe vjetërsinë.

Ministri Demo e cilësoi këtë vendim si një investim të drejtpërdrejtë te njerëzit që mbajnë mbi supe një përgjegjësi të rëndësishme publike, duke u përballur çdo ditë me rrezikun, kriminalitetin dhe emergjencat për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Ai nënvizoi se një Polici më profesionale, më të motivuar dhe më të përgjegjshme kërkon jo vetëm pajisje dhe teknologji moderne, por edhe vlerësim dhe trajtim dinjitoz të punonjësve të saj.

Në të njëjtën kohë, ministri theksoi se rritja e mbështetjes financiare duhet të shoqërohet me standarde më të larta profesionale, disiplinë, integritet dhe respektim të ligjit.

Sipas tij, mbështetja për punonjësit e Policisë dhe llogaridhënia për çdo veprim të tyre janë dy parime që duhet të ecin së bashku, pasi qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë siguri, por edhe shërbim korrekt, profesional dhe respektim të të drejtave të tyre.

Projektbuxheti 2027 synon kështu që rritja e financimit të përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, kapacitete më të forta institucionale dhe një shërbim publik më cilësor.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKQZ kërkon 85,5 milionë lekë shtesë në buxhetin e vitit 2027, në fokus teknologjia e informacionit
Artikulli tjetërGJERMANI – Numri i azilkërkuesve të rinj bie me 35%, niveli më i ulët që nga tetori i 2011-ës