TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Programimit dhe Administrimit të Buxhetit, Xhevdet Haxhiu, dhe drejtori i kabinetit, Aleksandër Çavo, mori pjesë në seancën dëgjimore për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”, zhvilluar në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë prezantimit, Rusi paraqiti nevojat për fonde buxhetore të sistemit gjyqësor për vitin 2027, duke nënvizuar se në projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” janë miratuar 37% fonde më pak sesa ka qenë kërkesa e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kryetari i Këshillit prezantoi nevojën e domosdoshme për miratimin e 199 punonjësve shtesë për të gjithë sistemin gjyqësor, si dhe të fondeve përkatëse për shpenzime personeli, duke dhënë argumentet e duhura lidhur me këtë kërkesë.
Gjithashtu, Rusi kërkoi vazhdimin e financimit të pagave për 90 punonjësit me kontrata me afat dhe me kohë të plotë, të cilët janë punësuar gjatë vitit 2026 dhe që do të vazhdojnë marrëdhënien e punës edhe për dy vitet e tjera në vazhdim.
Kryetari i Këshillit vendosi theksin te kërkesat e domosdoshme për miratimin e fondeve shtesë mbi ato të parashikuara në projektligjin e buxhetit për shpenzimet që lidhen me shërbimin e sigurisë në gjykata, për shpenzimet për ambiente me qira për dy gjykatat e apelit, si dhe për përballimin e kostove nga rritja e tarifave postare dhe shërbimit të sigurisë.
Më tej, Rusi solli në vëmendje rëndësinë e shtimit të fondeve për financimin e investimeve për rikonstruksione, për blerje të pajisjeve të sigurisë dhe atyre kompjuterike për gjykatat e të tre niveleve.
Në përfundim, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut kërkoi që deputetja relatore, Aulona Bylykbashi, përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Financave, të zhvillojnë bisedime për përcaktimin e kërkesave prioritare për shtim fondesh të KLGJ-së, të cilat duhen plotësuar nga projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”. /j.p/























