ROMË, 4 nëntor /ATSH/ – Sulmet kibernetike vayhdojnë të godasin dhjetëra supermarkete në gjashtë vende evropiane, duke rritur temperaturat në frigoriferë deri në 50°C duke çuar kështu në prishjen e tonelatave me ushqime.
Dje katër supermarkete të kompanisç “Coop” në Siçili pësuan dëme prej mijëra eurosh.
Sulmi i hakerëve, që preku rreth njëqind supermarkete në Suedi, Belgjikë, Luksemburg, Estoni dhe Irlandë, nuk e kurseu as Italinë.
Bëhet fjalë për një sulm ndaj sistemit të kontrollit në distancë për banakët e ushqimeve të ngrira.
Raportohen incidente edhe në kompani në Toskanë dhe Emilia-Romanja.
Policia Postare po rindërton origjinën dhe përmasat e sulmeve, si dhe po verifikon nëse ka lidhje me ngjarjet e ndodhura në vende të tjera evropiane.
Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (ACN) bëri të ditur se ka marrë njoftime për një incident që ka prekur një kompani toskane në sektorin e kateringut kolektiv, si dhe ka zbuluar një sulm ndaj një kompanie në Emilia, e cila prodhon ushqime të ngrira.
Bashkimi Evropian e ka përshkruar situatën si “shumë shqetësuese”.
Më tetor, një tjetër sulm kibernetik kishte goditur tashmë rrjetet kryesore të supermarketeve në Francë, duke shkaktuar humbje prej miliona eurosh. Askush nuk e ka marrë ende përsipër përgjegjësinë për sulmet, por duket se ka pak dyshime që incidentet janë të lidhura me njëri-tjetrin. /os/























