Ballina Aktualitet

Shpërthimi në pallatin në Elbasan, Llatja: Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, reagoi sot në lidhje me shpërthimin që ndodhi në një pallat në Elbasan, ku për pasojë humbi jetën një 82-vjeçar dhe mbetën të plagosur 10 të tjerë, Llatja bëri të ditur gjithashtu se një 69-vjeçar rezulton ende i zhdukur.

Duke folur për ngjarjen rëndë, kryebashkiaku tha se shpërthimi ka shkaktuar dëme të rënda strukturore në ndërtesë. Sipas tij, kati i katërt është shembur mbi katin e tretë, ndërsa janë dëmtuar edhe shkallët lidhëse mes kateve të treta, të katërta dhe të pesta.

“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 4 dhe katin e 5-të. Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 82-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore”, tha ai.

Llatja bëri të ditur gjithashtu se një pjesë e pallatit është bërë e pabanueshme, ndërsa e gjithë ndërtesa paraqet probleme për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga shpërthimi.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj, deklaroi se menjëherë pas ngjarjes janë marrë masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit.

Sa i përket shkaqeve të shpërthimit, Skënderaj theksoi se ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Dyshimet e para kanë qenë për një bombol gazi, por pritet që shërbimet zjarrfikëse të përcaktojnë se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin.

“Morëm masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, që fillimisht ishte në katin e tretë dhe më pas u përhap në katet e tjera.  Nuk mund të flasim për shkaqet. Fillimisht informacionet i kemi marrë për bombul pro shërbimet zjarrfikëse do të arrijnë që ta konfirmojnë se cfarë ka qenë”, tha ai.

/m.q/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – Kremlini minimizon ndikimin e humbjes së republikanëve në zgjedhjet amerikane mbi negociatat për Ukrainën
Artikulli tjetërTiranë, përfundon murali në Parkun e Artit, homazh për gratë e Arkivit Filmik Shqiptar