Ballina Flash

Avokati i Popullit: KE vlerësoi funksionimin e institucionit

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026 vlerëson funksionimin e Avokatit të Popullit, duke konfirmuar akreditimin e institucionit me statusin “A” si Institucion Kombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe ushtrimin e kënaqshëm të mandatit të tij.

Në një deklaratë për shtyp, Avokati i Popullit thekson se raporti i KE-së konfirmon se Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe ka vendosur se procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin.

Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht edhe funksionimin e mekanizmit kombëtar për Parandalimin e Torturës, i cili është pjesë e mandatit të Avokatit të Popullit.

Një tjetër element i evidentuar në raport është përdorimi i të dhënave të Observatorit të Avokatit të Popullit për femicidin, të cilat janë përfshirë në grafikun 13.2 të dokumentit.

Por, Avokati i Popullit nënvizon se problematika kryesore mbetet zbatimi i rekomandimeve të tij nga institucionet publike.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 vetëm 17% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit u zbatuan plotësisht.

Në deklaratë, thuhet se Komisioni Evropian kërkon forcimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Avokatin e Popullit, si dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve që nuk zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni.

/e.i/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDuka pret në takim delegacionin e “Lega Nazionale Dilettanti” në Shtëpinë e Futbollit
Artikulli tjetërProgresraporti i KE, Tabaku: Nevojë për ndryshime të thella në funksionimin e institucioneve