Ballina Flash

Costa: Kosova duhet t’i përshpejtojë reformat drejt BE-së

PRISHTINË, 4 nëntor /ATSH/ Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa ka deklaruar se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina mund të shënojnë përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e nevojshme.

Në deklaratën e publikuar më 3 nëntor, në kuadër të Samitit të Euronews për Zgjerimin e BE-së 2026, Costa ka ritheksuar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian.

“Jam plotësisht i bindur se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Besoj se Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mund të bëjnë përparim të mëtejshëm dhe t’i përshpejtojnë reformat e nevojshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar Costa.

Ai ka paralajmëruar se përparimi i vendeve të rajonit do të diskutohet pas 3 javësh, në samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor.

“Këtë dhe çështje të tjera do t’i diskutojmë me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor pas 3 javësh, në samitin e katërt BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet gjatë mandatit tim”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin e zgjerimit, Costa ka theksuar se anëtarësimi në BE nuk nënkupton vetëm përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve me standardet evropiane, por edhe forcimin e besimit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve.

Sa i përket Serbisë, ai ka deklaruar se zgjedhjet e fundit pasqyrojnë dëshirën e qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të përgjegjshme shkruan KosovaPress.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë qeverinë e re serbe në rrugën evropiane, veçanërisht në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërkohë, Costa ka vlerësuar përparimin e Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se vendi po i afrohet përfundimit të këtij procesi.

Ai ka shprehur besimin se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

Presidenti i Këshillit Evropian ka theksuar gjithashtu se zgjerimi mbetet një përparësi strategjike për BE-në, duke e cilësuar atë si investim në paqe, siguri, demokraci dhe prosperitet.

Sipas tij, procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i drejtë, i qëndrueshëm dhe i bazuar në merita, ndërsa vendet aspiruese duhet të vazhdojnë reformat demokratike.

“Askush nuk mund të ecë drejt Bashkimit Evropian duke u larguar nga demokracia”, ka përfunduar Costa. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANALIZË – Humbja e Trump në zgjedhjet e mesmandatit, skenarët që mund të ndryshojnë marrëdhëniet me Evropën
Artikulli tjetër“32 imazhe, 32 histori”, ATSH sjell udhëtim në kohë në Klik Ekspo Group