MEPJ: Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj

TIRANE, 15 dhjetor/ATSH/- Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet miratimin e tre ligjeve mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin për shtyp, MEPJ thekson se “rezultati në Kuvend është fryt i kontributit shumëvjeçar të gjitha forcave politike dhe popullit të Kosovës, bazuar në të drejtën legjitime të një shteti sovran e të pavarur”.

“Mbështesim angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë të zhvillohet gradualisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, si dhe të jetë gjithëpërfshirës. Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të vendit, si dhe të forcimit të sigurisë në rajon”, thuhet në deklaratë./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.