TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Një sasi lëndësh narkotike e dyshuar si kokainë u bllokua sot në pikën kufitare të Muriqanit.
Përmes një njoftimi për shtyp të Administratës Doganore Shqiptare bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit, në hyrje të Shqipërisë, pranë Zyrës Doganore Muriqan, është paraqitur shtetasi A. H., i cili udhëtonte me një automjet të tipit furgon, marka “Renault”, ngjyrë e bardhë.
Në kuadër të ushtrimit të detyrave funksionale dhe bazuar në analizën e riskut, autoritetet doganore pranë Zyrës Doganore Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, përzgjodhën automjetin për kontroll të vijës së dytë, me qëllim kryerjen e një kontrolli më të detajuar, në përputhje me procedurat përkatëse.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë nga autoritetet doganore dhe shërbimet e Policisë Kufitare, në pjesën e derës së pasme të automjetit u konstatua një çantë me ngjyrë jeshile, brenda së cilës ndodhej një pako e mbështjellë me material ngjitës të ngjyrës kafe të errët.
Nga karakteristikat dhe përmbajtja e saj, pakoja u dyshua se përmbante lëndë narkotike të llojit kokainë.
Pas konstatimit, u bë evidentimi i rastit dhe njoftimi i strukturave kompetente të Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Sasia e dyshuar, me peshë rreth 1000 gramë u sekuestrua në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Pas kontrollit të imtësishëm të mjetit nuk u konstatua asgjë tjetër e kundërligjshme.
Autoritetet doganore, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me strukturat e Policisë Kufitare, kanë kryer veprimet përkatëse për konstatimin dhe evidentimin e rastit, duke vënë në dispozicion të strukturave kompetente informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për vijimin e procedurave.
/m.m/r.e/j.p/













