ISHP: Shqipëria e pastër, asnjë rast të virusit “Ethja e Nilit Perëndimor”

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ – Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se aktualisht nuk ka  asnjë rast të sëmundjes virale “Ethja e Nilit Perëndimor” në Shqipëri.

ISHP gjithashtu konfirmon se prej dy vitesh në vendin tonë nuk ka asnjë rast të kësaj sëmundjeje, bazuar në të gjitha testimet e kryera për të gjitha rastet e dyshuara.

Zyrtarisht thuhet se, që prej vitit 2011 në Shqipëri është vendosur survejanca për zbulimin e hershëm të “Etheve të Nilit Perëndimor” në të gjithë vendin dhe sidomos evidentimin e infeksioneve të sistemit nervor qendror të shkaktuar prej tij. Po ashtu janë përforcuar kapacitet laboratorike të diagnozës përfshi këtu dhe atë molekulare të kësaj sëmundjeje pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.

Ndërkaq, për Shqipërinë është kryer edhe një vlerësim risku ku janë përcaktuar zonat me risk më të lartë, ku kemi një mbikqyrje dhe kontroll të përforcuar.

ISHP këtë sezon në bashkëpunim me ECDC (Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve) ka përcaktuar masat për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje si më poshtë:
– Përforcimi i survejancës për “Ethen e Nilit Perëndimor” dhe infeksionet e sistemit nervor qendror
– Komunikim të përditshëm me struktura shëndetësore në vend për kapjen e hershme të rasteve
– Përgatitje e laboratorit të virologjisë pranë ISHP për të kryer diagnozën dhe bashkëpunim i këtij laboratori me rrjetin europian të sëmundjeve emergjente
– Survejancë e përforcuar tek kuajt dhe zogjtë
– Fushatë ndërgjegjësimi, informimi dhe kontrolli derë me derë në Tiranë dhe më tej, sipas një udhëzimi dhe bashkëpunimi me ECDC.
– Bashkëpunim ndërkufitar për Plan të Kontrollit të mushkonjave për të ndërhyrë në rastet e shpërthimit të ndonjë epidemie dhe shkëmbim informacioni me vendet fqinje.
– Survejancë e përforcuar entomologjike.
Kujtojmë se për këtë sëmundje nuk ka vaksinë tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin nga virusi i Nilit Perëndimor si në Shqipëri dhe jashtë saj, është shmangia e pickimit nga mushkonjat. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.