Ballina Flash

Kurti takon Kasanof: Kosova dhe SHBA ndajnë vlera dhe qëllime të përbashkëta si dy shtete mike dhe aleate

PRISHTINË, 10 tetor /ATSH/ Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Kosova dhe SHBA ndajnë vlera dhe qëllime të përbashkëta si dy shtete mike dhe aleate, teksa theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin reciprok me Uashingtonin zyrtar në këtë drejtim.

Ai gjatë një takimi me ndihmëssekretarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.

Gjatë takimit Kurti falënderoi SHBA-në për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Ai theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi rëndësinë e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Më herët sot Kasanof u takua me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi për forcimin e mëtejshëm të aleancës mes SHBA-së e Kosovës, rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike, si dhe mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.

Kasanof gjatë qëndrimit në Kosovë do të takojë edhe liderët opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Emisari amerikan po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, pozitë në të cilën është emëruar muaj më parë.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGatishmëria ndaj pandemive, Koçiu në takimin e Ministrave të Shëndetësisë në Itali
Artikulli tjetërKoçiu: Shëndeti mendor në punë, prioritet