TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi sot se “një ambient pune i shëndetshëm dhe mbështetës ndihmon në rritjen e produktivitetit dhe mirëqenies së punonjësve”.
Mesazhi i ministres Koçiu vjen në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, ku tema e këtij viti i dedikohet shëndetit mendor në vendin e punës.
“Të gjithë ne mund të kontribuojmë në krijimin e një kulture ku shëndeti mendor është i rëndësishëm dhe ku njerëzit ndihen të mbështetur për të diskutuar sfidat që përballen”, u shpreh ministrja.
Koçiu nënvizoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po zbaton Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2023-2026, që përfshin shëndetin mendor në punë si një prioritet.
“Po ashtu, kemi fuqizuar shërbimet socio-shëndetësore komunitare, me qendra dhe shtëpi mbështetëse për personat me probleme kronike të shëndetit mendor”, theksoi ajo.
Koçiu ndau po ashtu mesazhin e mjekes Irena Thoma, e cila nënvizoi nevojën që gjithsecili të kujdeset për shëndetin mendor ashtu sikurse kujdeset për trupin e tij.
“Jeta jonë është e mbushur plot me angazhime, përgjegjësi, detyra, nevoja dhe të gjitha këto së bashku me stres dhe ngarkesë emocionale ndikojnë edhe në shëndetin tonë mendor. Le ta ruajmë dhe të kujdesemi si për trupin edhe për shëndetin tonë mendor. Në momentin që konstatojmë diçka ndryshe të i afërmi ynë, duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore”, tha Thoma.
Sipas mjekes “ndihma mjekësore psikiatrike gjendet kudo”.
“Nuk është e vështirë për të marrë këtë lloj ndihme. Në çdo lagje ka ekipe multidisiplinare ka qendra komunitare të shëndetit mendor që ofrojnë këto shërbime dhe këto qendra komunitare kanë psikiatër, punonjës socialë psikologë dhe infermierë. Bashkë me to janë edhe spitalet të atashuar në gjithë vendin”, tha Thoma.
/m.m/a.f/r.e/























