TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Roskovec për të kërkuar sërish mbështetjen e qytetarëve të kësaj bashkie për Majlinda Bufin, falë angazhimit të së cilës, sipas Kryeministrit, e ka transformuar këtë bashki.
Ai tha se opozita, e cila në 31 vite ka drejtuar disa bashki e komuna nuk mund të tregojë një rast të suksesshëm.
“Më kujtohet hera e parë kur kam ardhur dhe erdhëm tek ajo rruga e vetme aty, dhe kur ndaloi makina i thashë shoferit: Nuk do të ikim në Roskovec. Ai u përgjigj: Këtu jemi, në qendër. Ishte një rrugë. Sot është komplet një gjë tjetër dhe nuk është vetëm sheshi këtu që është fantastik, është i gjithë qyteti, e gjithë bashkia, sepse nuk është më fjala për pak më shumë infrastrukturë, ujë të pijshëm. Në fakt problemet e infrastrukturës janë adresuar masivisht. Natyrisht ka akoma kërkesa. Këtu jemi në një zonë që, falë Majlindës në radhë të parë, këtu ndryshimi është i jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit, kryetarja e bashkisë ka ndihmuar banorët jo vetëm duke u ofruar një infrastrukturë më të mirë dhe më shumë shërbime, por ka ndihmuar edhe për të rritur prodhimin bujqësor.
“Këtu nuk kanë munguar asnjëherë njerëzit punëtorë që kanë dashur të fitojnë përmes punës. Këtu njerëzit i kanë pasur mundësitë të kufizuara, sepse nuk kishin kanalet kulluese, infrastrukturën minimale dhe ishin të detyruar të braktisnin tokën. Sot mjafton të shikosh rritjen e prodhimit, falë edhe mbështetjes së madhe që Majlinda ka siguruar nga qeveria. Dhe në këtë rast e ka siguruar duke i mbështetur e asistuar të bëjnë aplikimet e duhura, projektet e duhura dhe sot ne kemi një bashki, e cila ka rritur me 200 ha sipërfaqen e serrave dhe kemi një bashki ku kapacitetet frigoriferike për mbajtjen e perimeve dhe nxjerrjen e tyre në treg në momentin e duhur janë rritur si në asnjë bashki tjetër të Shqipërisë“, tha Rama.
Ai ftoi njerëzit t’i besojnë votën e tyre njerëzve të punës.
“Këtu nuk duhet të kishte fushatë apo diskutim, dhe këtu zgjedhjet duhet të ishin një moment ku e gjithë bashkësia të rinovonte kontratën për të mbajtur Majlindën në detyrë, sepse në fund të fundit vota është shprehja e mendimit për këdo që marrim në punë që të na shërbejë si kryetar me standarde sa më të mira”, tha ai.
Rama shtroi nevojën e pasjes së një harmonie midis pushteteve, atij qendror dhe atij vendor, për një zhvillim të mëtejshëm të vendit.
“Ka edhe një pjesë tjetër specifike, të natyrës politike, sepse patjetër që suksesi është i lidhur me punën e Majlindës dhe ekipit të saj. Por sukses është, pa asnjë diskutim, shprehja e mbështetjes që Majlinda ka marrë nga qeveria në Tiranë dhe strukturat mbështetëse të pushtetit qendror dhe është shumë e rëndësishme që pushteti qendror në Tiranë dhe ai vendor në Roskovec të jenë në harmoni me njëri-tjetrin, nëse ju doni më shumë punë, më shumë financime, nëse ju doni të kenë sukses më shumë projekte”, deklaroi Kryeministri.
Sipas Ramës, opozita, e cila në 31 vite ka drejtuar disa bashki e komuna, nuk mund të tregojë një rast të suksesshëm.
“Ka një, Shkodra, që e kanë qeverisur qysh nga zgjedhjet e para pluraliste dhe që është sot qyteti më i papastër i Shqipërisë. Roskoveci ngado që të hedhësh sytë nuk ka një copë letër përtokë sepse pastrohet. Në Shkodër kazanët e plehrave janë siç ishin dikur në të gjithë Shqipërinë përpara se ne të merrnim detyrën dhe të vinim si qëllim kryesor që Shqipëria nuk mund të jetë një vend i pisët nga njerëzit, sepse është një vend i bekuar dhe duhet të jetë një vend i pastër. E pra, Roskoveci, Fieri, Vlora, Elbasani, Lezha, Kukësi, të gjitha, Tropoja, të gjitha bashkitë ku ne qeverisim shkëlqejnë nga pastërtia. Shkodra është një gjë që të këput shpirtin kur shikon ato pamjet e tmerrshme të kazanëve me plehra që nuk mblidhen me ditë të tëra dhe që qelben rrugëve. Dhe kjo është A-ja e qeverisjes së një bashkie. A-ja, pastërtia, që mos flas më radhë për të tjera e të tjera”, deklaroi Kryeministri Rama.
/r.e/






















