Porti i ri i Vlorës në kantier ndërtimi brenda 3 muajve

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “për 2-3 muaj do të jetë në kantier projekti i ndërtimit të portit të ri të Vlorës, ku do të përfshihen porti i peshkatarëve, porti i mallrave dhe i trageteve”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë i pyetur se kur pritet të fillojë projekti i portit të mallrave, Rama u shpreh se, “tek Triporti do të jenë të dy edhe porti i peshkatarëve, edhe porti i mallrave dhe i trageteve e do të jenë me kompartimente”.

Rama tha se, projekti është gati “besoj që në 2 muaj, në 3 muaj maksimumi do të jetë kantier. Pra porti i mallrave do jetë aty pjesë e kantierit”.

Rama nënvizoi se, “do të jetë një ndryshim shumë i madh se duhet të jemi realist, porti ekzistues është një shaka. Është një shaka e hidhur në raport me kohën që jetojmë dhe me ambicien që kemi për Vlorën, një pankinë atje që ç’të të them. Por iku”.

“Siç është një shaka e hidhur porti i Durrësit, ekzistues. Një port, në mes të qytetit, një port me ndotje të madhe, një port me kushte që lënë shumë për të dëshiruar dhe do t’ia lërë vendin një porti turistik atje. Dhe porti i ri do të ndërtohet matanë. Por operacioni i Durrësit do të zgjasë pak më shumë për të hyrë në proces kantieri”, u shpreh Rama.

“Operacioni i Vlorës është thjesht çështje e pak kohe, 2 muaj 3, për t’i dhënë vetes hapësirë, se normalisht brenda 2 muajsh duhet të jemi në kantier normalisht”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.