Në përfundim të mandatit të tretë Vlora do ketë 24 orë ujë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në përfundim të mandatit të tretë Vlora do të ketë 24 orë ujë.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, Rama u shpreh se, pakënaqësitë e qytetarëve po adresohen, duke përmendur çështjen e furnizimit me ujë 24 orë që është vënë në rrugën e zgjidhjes.

“E para, Vlora nuk ka pasur kurrë ujë 24 orë në historinë e vet. Ju e dini shumë mirë, unë kam qenë i vogël që vinim në Skelë me pushime dhe mbaj mend që e kishim me ditë, një ditë shkoja unë, një ditë, një nga djemtë e dajës, një ditë djali tjetër, që rrinim te çezma e lagjes, prit që të mbushje ujin për drekë se s’kishte ujë. Ama sot kantieret janë në punë për të rritur furnizimin me ujë dhe ka përmirësime në zona të caktuara, sipas blloqeve ku është investuar apo po investohet dhe blloku i fundit i financimit është siguruar 30 e ca milionë euro nga fondi i Bankës Gjermane për Zhvillim dhe faktikisht çështja e ujit ekziston sot, por ama është vënë në rrugën e zgjidhjes. Nuk flasim për plane si ato të tramvajit që do bënte Luli në Tiranë, por flasim për planin e veprimeve. Dhe brenda një periudhe disavjeçare, dy vjet, tre vjet Vlora do ta ketë këtë gjë”, tha Rama.

Pra, theksoi Rama, “në përfundim të mandatit të tretë Vlora do të ketë 24 orë ujë. Është fakt”.

“Po ta marrim sot për sot hajde të shprehim pakënaqësinë. Por kur shohim që kjo pakënaqësi është në raport me çfarë, është në raport me faktin që s’ka asgjë në horizont apo është në raport me faktin që kjo po adresohet. Atëherë këtu ndryshon vendimmarrja. Se ujë këtu s’ka pas kurrë. Ama sot perspektiva është konkrete dhe nuk është pas 30 vjetësh, është pas 3-4 vjetësh”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.