TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Rishpërndarja e përfitimeve të rritjes ekonomike te qytetarët, ulja e kostos së produkteve bazë, rritja e të ardhurave të pensionistëve dhe mbështetja e familjeve e bizneseve janë në qendër të politikave të Projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale 2027.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se politikat ekonomike dhe fiskale për vitin e ardhshëm synojnë që rritja ekonomike të mos mbetet vetëm në treguesit makroekonomikë, por të përkthehet në më shumë të ardhura të disponueshme dhe në reduktim të shpenzimeve për qytetarët.
Sipas saj, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike, zgjerimi i punësimit dhe rritja e të ardhurave buxhetore kanë krijuar hapësira për politika që synojnë një shpërndarje më të gjerë të përfitimeve të zhvillimit ekonomik, me fokus pensionistët, shtresën e mesme, familjet e reja dhe bizneset.
“Është e rëndësishme që ne të nxisim rritjen ekonomike, por kjo rritje duhet të ndihet në xhepat e çdo qytetari shqiptar. Buxheti i vitit 2027 në tërësi është një buxhet që kujdeset që mirëqenia të rishpërndahet. Qoftë Buxheti, qoftë Paketa Fiskale kanë bërë një rishpërndarje të barrës fiskale, me qëllim rritjen e të ardhurave apo reduktimin e shpenzimeve të qytetarëve”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për vitin 2027 është rreth 42 miliardë lekë, ku afërsisht 70% e fondeve shkojnë për mbështetjen e skemës së sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.
Një nga masat kryesore të Paketës Fiskale 2027 është ulja e normës së TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore, që përfshijnë produkte të konsumit të përditshëm, si buka, mielli, qumështi, vezët, orizi, makaronat, vaji, mishi, peshku, frutat dhe perimet.
Sipas Ibrahimajt, kjo masë synon të reduktojë koston fiskale përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe të krijojë mundësi për një ulje të çmimeve të produkteve bazë me rreth 11-12%, duke e bërë përfitimin të prekshëm për konsumatorët.
Megjithatë, ministrja theksoi se përfitimi i qytetarëve nga ulja e TVSH-së kërkon edhe monitorimin e çmimeve në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit, për të garantuar që reduktimi i taksës të reflektohet në çmimin përfundimtar dhe të mos përthithet nga marzhet tregtare.
Për këtë qëllim, ministrja informoi se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po përdor platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila mundëson ndjekjen e çmimeve që nga importuesit dhe prodhuesit deri te tregtarët me pakicë.
Platforma mbështetet edhe në të dhënat e faturimit elektronik dhe fiskalizimit, duke krijuar mundësinë për të krahasuar çmimet e raportuara nga subjektet me faturat e lëshuara dhe për të identifikuar hallkat ku krijohen kostot apo marzhet më të larta.
Ibrahimaj bëri të ditur se monitorimi ka nisur që përpara hyrjes në fuqi të masës, me qëllim parandalimin e rritjeve spekulative të çmimeve në muajt paraprakë, të cilat mund të neutralizonin efektin e uljes së TVSH-së pas 1 janarit 2027.
“Meraku i madh që kemi është që bizneset mund të bëjnë spekulime duke rritur çmimet paraprakisht, në mënyrë që më pas, pas 1 janarit, kur të hyjë në fuqi tatimi i reduktuar, të mund t’i ulin. Kjo është diçka për të cilën jemi të kujdesshëm dhe po e monitorojmë”, u shpreh ministrja.
Ajo nënvizoi se qëllimi i qeverisë është që përfitimi financiar nga reduktimi i TVSH-së të shkojë te konsumatori dhe jo të përfundojë në të ardhurat shtesë të tregtarëve.
Efekti financiar i uljes së TVSH-së për produktet ushqimore vlerësohet në rreth 12,8 miliardë lekë. Ndërkohë, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% për produktet e tjera pritet të sjellë rreth 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet.
Ministrja shpjegoi se ndikimi i rritjes së TVSH-së me një pikë përqindjeje për produktet e tjera është më i kufizuar në buxhetet familjare sesa përfitimi që synohet nga ulja e TVSH-së për shportën bazë ushqimore, veçanërisht për familjet me të ardhura më të ulëta.
Një tjetër ndryshim i Paketës Fiskale 2027 është ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se kjo masë do të përfshijë më shumë biznese në skemën e TVSH-së, por nuk nënkupton automatikisht një detyrim shtesë për pagesën e kësaj takse për çdo subjekt që regjistrohet.
Ajo theksoi se ulja e pragut të TVSH-së nuk prek pragun e tatimit mbi fitimin, i cili mbetet 14 milionë lekë në vit. Regjistrimi në skemën e TVSH-së dhe detyrimi për tatimin mbi fitimin janë dy çështje të ndryshme, që përcaktohen nga rregulla dhe pragje të veçanta.
“Ne nuk kemi lëvizur tatimin mbi fitimin, pra pragun e tatimit mbi fitimin, që në Shqipëri është deri në 14 milionë lekë. Subjektet paguajnë TVSH për diferencën ndërmjet blerjes dhe shitjes. Pra, është një bilanc TVSH-je dhe ato paguajnë vetëm për diferencën ndërmjet TVSH-së së mbledhur nga shitja dhe TVSH-së së paguar në blerje”, shpjegoi ministrja.
Sipas saj, ulja e pragut synon të shmangë avantazhet konkurruese të subjekteve që operojnë jashtë skemës së TVSH-së, ndërkohë që ofrojnë të njëjtat produkte dhe shërbime me çmime të ngjashme me bizneset që janë pjesë e skemës.
Ibrahimaj solli në vëmendje se përvoja e deritanishme nuk ka treguar se dalja e subjekteve nga skema e TVSH-së është shoqëruar domosdoshmërisht me ulje të çmimeve për konsumatorët.
“Në Shqipëri një gjë e tillë nuk ndodh. Pra, çmimet gjithsesi, me apo pa TVSH, janë të njëjta, si në subjektet që paguajnë TVSH, ashtu edhe në subjektet që nuk paguajnë TVSH. Dhe atë diferencë të çmimit që vjen nga TVSH-ja e mban pronari. Kjo nuk është drejtësi, por është evazion”, u shpreh ajo.
Ministrja nënvizoi se ruajtja e një pragu për bizneset realisht shumë të vogla lidhet me nevojën për të mos u shtuar kostot administrative që shoqërojnë deklarimin e TVSH-së. Ndërsa zhvillimet teknologjike dhe deklarimi online krijojnë mundësi për një administrim më të lehtë të detyrimeve për subjektet që përfshihen në skemë.
Në Paketën Fiskale 2027 është përfshirë edhe heqja e taksës së qarkullimit mbi karburantet, me synim reduktimin e çmimit që qytetarët paguajnë në momentin e furnizimit me naftë apo benzinë.
Sipas ministres, ndryshimi parashikon një ulje prej 32 lekësh për litër në çmimin e karburantit në pompë.
Ibrahimaj bëri të ditur se për të garantuar reflektimin e kësaj uljeje do të ketë monitorim të vazhdueshëm të çmimeve të karburanteve dhe po shqyrtohet krijimi i një mekanizmi të përhershëm transparence, i cili do të sigurojë që ulja të mos reflektohet vetëm në momentin e parë, por të ruhet në vijim.
Aktualisht, sipas saj, sektori operon nën regjimin e Bordit të Transparencës, për shkak të luhatjeve të çmimeve të ndikuara nga kriza në Lindjen e Mesme.
Taksa nuk do të shfuqizohet, por do të paguhet veçmas, së bashku me detyrimet e tjera vjetore të automjetit, përmes strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Ministrja bëri të ditur se ndryshimi i mënyrës së mbledhjes së taksës shoqërohet me një diferencë të parashikuar prej rreth 5 miliardë lekësh në të ardhurat buxhetore, por vlerësoi se kjo është një nismë e nevojshme për të lehtësuar qytetarët përballë kostove të larta të karburanteve.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se mbështetja për pensionistët është një nga zërat kryesorë të Projektbuxhetit 2027. Për këtë qëllim, tha ajo, janë parashikuar rreth 24 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për dyfishimin e shtesave mujore sipas kategorive të pensioneve dhe për indeksimin e tyre.
Nga janari 2027, shtesa mujore për pensionet urbane me vite të plota pune do të rritet nga 1 800 në 3 600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme, shtesa do të dyfishohet nga 800 në 1 600 lekë; për pensionet rurale nga 1 000 në 2 000 lekë; për pensionet familjare nga 700 në 1 400 lekë; ndërsa për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 në 1 200 lekë në muaj.
Ministrja theksoi se kjo masë synon të rrisë gradualisht të ardhurat e pensionistëve drejt niveleve të përcaktuara nga qeveria, sipas kategorive të pensioneve.
“Ne do të garantojmë që në fund të këtij mandati të mos kemi më pensione me vite të plota pune urbane më të ulëta se 40 mijë lekë dhe pensione me vite të pjesshme pune jo më të ulëta se 22 mijë lekë. Në vitin 2027 do të dyfishojmë bonusin mujor, siç kemi premtuar, me qëllim që të ardhurat e pensionistëve të shkojnë drejt atyre niveleve që kemi përcaktuar”, deklaroi Ibrahimaj.
Krahas dyfishimit të shtesave mujore, një tjetër ndryshim është afrimi i indeksimit të pensioneve në 1 prill, disa muaj më herët se praktika e viteve të fundit, kur indeksimi kryhej në muajin tetor.
Sipas ministres, kostoja e parashikuar për indeksimin gjatë vitit 2027 është rreth 4 miliardë lekë.
Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria synon gjithashtu finalizimin e reformës së skemës së pensioneve gjatë vitit 2027, ndërsa zbatimi i ndryshimeve pritet të nisë në fillim të vitit 2028.
Përtej masave fiskale dhe mbështetjes për pensionistët, Projektbuxheti 2027 parashikon fonde shtesë për nxitjen e punësimit të të rinjve dhe zgjerimin e programeve të formimit profesional.
Ministrja Ibrahimaj tha se një nga instrumentet kryesore është Garancia Rinore, e cila pas pilotimit gjatë dy viteve të fundit do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.
Sipas saj, synimi është që çdo i ri apo e re nën moshën 29 vjeç të ketë mundësi të përfitojë një ofertë punësimi ose një program formimi profesional.
Gjithashtu, theksoi ajo, do të zgjerohen programet e nxitjes së punësimit për të rinjtë që kanë një ide biznesi dhe dëshirojnë të vetëpunësohen, si dhe për të diplomuarit e arsimit profesional dhe universitar.
“Përmes këtyre programeve, qeveria subvencionon gjysmën e pagës minimale për një periudhë nëntëmujore, duke u krijuar mundësi të rinjve të fitojnë përvojën dhe aftësitë e nevojshme për t’u integruar në tregun e punës”, tha ministrja.
Një tjetër drejtim i mbështetjes është strehimi i përballueshëm për familjet e reja dhe profesionistët. Ministrja bëri të ditur se parashikohen 2000 apartamente me interes zero, me vlera dhe sipërfaqe më të vogla, si dhe 2000 kredi për çiftet e reja dhe familjet, për të cilat shteti do të subvencionojë normën e interesit deri në 3%.
Krahas këtyre instrumenteve, informoi Ibrahimaj, do të nisë edhe një program për subvencionimin e qirasë për banesat, kryesisht për studentët dhe profesionistët e rinj, ku shteti do të mbulojë gjysmën e vlerës së qirasë.
Sipas Ibrahimajt, këto politika synojnë të lehtësojnë një prej kostove më të rëndësishme për të rinjtë studentët dhe familjet e reja, duke krijuar më shumë mundësi për krijimin e familjes dhe ndërtimin e një jete të qëndrueshme ekonomike.
Një tjetër masë e Paketës Fiskale 2027 lidhet me ndryshimin e pragut të pagës mujore për aplikimin e normës 13% të tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi.
Pragu do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj do të aplikohet norma 30%.
Ndryshimi, u shpreh ministrja Ibrahimaj, synon të rrisë të ardhurat neto të punonjësve të kualifikuar dhe profesionistëve, duke përfshirë kategori si mjekët, inxhinierët, specialistët e teknologjisë së informacionit dhe profesionistët e tjerë me paga më të larta.
Ministrja e cilësoi këtë një masë në mbështetje të shtresës së mesme, e cila synon të krijojë më shumë hapësira për rritjen e të ardhurave të disponueshme të punonjësve.
“Kjo qasje pasqyron filozofinë e mazhorancës për një sistem tatimor progresiv, ku kontributi në buxhetin e shtetit përcaktohet në përputhje me nivelin e të ardhurave: ata që fitojnë më shumë kontribuojnë më shumë, ndërsa për shtresën e mesme dhe profesionistët synohet të krijohen më shumë mundësi për rritjen e të ardhurave të tyre neto”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo theksoi se të gjitha këto masa janë pjesë e një politike më të gjerë që synon të reduktojë shpenzimet e familjeve, të rrisë të ardhurat e disponueshme dhe të krijojë më shumë mundësi për punësim, strehim dhe zhvillim ekonomik.
Sipas ministres, Shqipëria prej të paktën katër vitesh ka ruajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme, në intervalin 3,5-4%, ndërsa papunësia ka ardhur në rënie, punësimi dhe të ardhurat buxhetore janë rritur dhe borxhi publik ka ndjekur një trajektore reduktuese.
“Është e rëndësishme që kjo rritje ekonomike të mos mbetet vetëm një tregues, por të përkthehet në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Buxheti i vitit 2027 është ndërtuar me këtë synim, duke mbështetur pensionistët, familjet, të rinjtë dhe profesionistët, si dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e ekonomisë”, deklaroi Ibrahimaj.
/e.i/j.p/





















