Skandaloze propaganda për ikjen e shqiptarëve

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Vetëm në periudhën e diktaturës, kur Enver Hoxha i mbylli në kafaz nuk kanë dalë shqiptarët”, tha sot Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, ndërsa e konsideroi skandaloze, propagandën e ikjes së shqiptarëve jashtë vendi.

Duke folur për largimin e shqiptarëve jashtë vendit, Rama tha se, “shqiptarët nuk kanë dalë jashtë vetëm në një periudhë gjatë izolimit të diktaturës. E dyta, vetëm në një periudhë historike nuk kanë dalë, kur i mbylli Enver Hoxha në kafaz dhe i bëri si gardelina që duhet të këndoni vetëm këngët e partisë”.

“Po të shikojmë të kaluarën, shqiptarët kanë qenë një popull që kanë lëvizur gjithmonë dhe unë kurrë nuk mund ti them një vajze, një djali që sot është 20-25 vjeç, the thotë unë dua ta provojë veten tani, sepse nuk pres dot as një mandat tjetër, as tre, as shtatë për t’m’u bërë këtu gjërat që kam dëshirë, por dua sot ti marr atje. Unë i them jo, do rrish këtu. Nuk jemi më, jetojmë në një kohë tjetër”, tha ai.

Rama shtoi se në lidhje me lëvizjen e shqiptarëve jashtë vendit, ajo që është skandaloze është propaganda këtu.

“Ajo që është skandaloze këtu është propaganda, helmi që hidhet me këtë. Sigurisht nëse unë e shoh në aspektin e ikjes së një të riu që nuk e gjen veten këtu është njësoj sikur më ikën një qelizë nga gjaku im, në kuptimin e dhimbjes që më krijon, por ama nga ana tjetër e para, shqiptarët kanë filluar të lëvizin që në ’90-ën, dhe shifrat që jepen këtu që edhi PS, erdhi Edi Rama dhe ikën 500 mijë, janë çmendurira, nuk vërtetohen në asnjë fakt. Ka më shumë shqiptarë që ikin sesa që vijnë, por të mos harrojmë që ka jo pak shqiptarë që vijnë në këto periudha. Nëse sot shkon në fshat në zonat ku bëhet bujqësi, zonat ku bujqësia ka filluar të marrë një ritëm tjetër, është eksperienca e atyre që janë kthyer nga emigracioni që i ka dhënë një shtytje të rëndësishme”, tha ai.

Në vijim, Rama tha se vajtja jashtë është eksperiencë, vajtja jashtë është shkëmbim kulturash dhe nuk është fundi i botës.

“Trendi historik do kthehet dhe se kur kthehet trendi historik nuk e vendos as unë, dhe askush tjetër si individ, këtë e vendos zhvillimi dhe konteksti më i gjerë. Në thonë ikën shqiptarë, po ata që lëvizin nga Kroacia, Sllovenia nga Rumani. Bullgaria, Poloni dhe që nuk i regjistron njëri si azilantë, se janë në një treg të përbashkët, po sa janë ata, miliona e miliona. Në vitin 2019 ka pasur 100 mijë kroatë të regjistruar në Gjermani që kërkonin punë. Kështu që çështja është më komplekse, ne nuk kemi shkop magjik, ne nuk mund ta bëjmë dot Shqipërinë të atillë që të  rinjtë shqiptarë ta gjejnë sot ato që kërkojnë në Gjermani, por drejtimi është i duhuri, dhe askush të mos harrojë se Gjermani nuk është ndërtuar për 7 vite, Itali, Anglia nuk janë  ndërtuar për 7 vite, nuk janë ndërtuar as për 30 vite, janë ndërtuar për shumë e shumë vite e dekada dhe shekuj disa, dhe plus kësaj nuk është e parëndësishme që të kihet mirë parasysh që emrat që përmenda janë fuqi të mëdha ekonomike të botës”, përfundoi Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.