Ballina Bota

ZELANDË E RE – Ekonomia në recesion me një rënie prej 12,2% të PBB-së në TII 2020

WELLINGTON, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Ekonomia e Zelandës së Re ka regjistruar një rënie rekord gjatë tremujorit të dytë duke hyrë zyrtarisht në recesion si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, të paktën një muaj nga zgjedhjet e përgjithshme. 

“Rënia prej 12,2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujor është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Zelandën e Re”, deklaroi agjencia kombëtare e statistikave.

Tremujori i dytë përkoi me aplikimin e një kufizimi strikt, që u vendos në fund të marsit dhe u hoq dy muaj më vonë.

Zëdhënësi i agjencisë, Paul Pascoe theksoi përveç të tjerave se mbyllja e kufijve të arkipelagut që prje 19 marsit kishte pasur një ndikim të madh në disa sektorë të ekonomisë.

“Industritë të tilla si shitja me pakicë, hoteleritë dhe transporti kanë parë të ardhurat e tyre të ulen në mënyrë domethënëse sepse kanë qenë shumë të prekura nga ndalimi i udhëtimeve ndërkombëtare dhe kufizimet strikte”, shtoi ai.

Ministri i Financave, Grant Robertson theksoi se masat e marra nga qeveria e kryeministres, Jacinda Ardern, që shpreson të rizgjidhet gjatë zgjedhjeve të parashikuara më 17 tetor, kishin mundësuar kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPortali qeveritar e-Albania vlerësohet botërisht si model suksesi/ Shteti në xhepin e qytetarëve
Artikulli tjetërRindërtimi në Durrës/ Shemben muret e brendshme të pallatit në lagjen 17, bashkia apel banorëve