Suksesi në Konferencën e Donatorëve/ Meta: Duartrokas nismën, duhet transparencë për përdorimin e donacioneve

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ -Konferenca e Donatorëve për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit ka rezultuar me një ndihmë prej 1.15 miliardë euro.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë televizive duartrokiti donacionet e vendeve mike të Shqipërisë.

“Nuk kam asnjë koment vetëm një duartrokitje për vendet që mbështetën sot Shqipërinë. Shpresoj që këto para të shkojnë aty ku duhet dhe të kalohet sa më shpejt fatkeqësia e tërmetit. Por të mos harrojmë që të gjithë vendet veçanërisht SHBA u ka bërë thirrje për transparencë me këto fonde”-, tha Meta.

I pyetur nëse është pak kontradiktore fakti që Meta thotë që kjo qeveri po bën grusht shteti dhe nga ana tjetër duartrokisni për Konferencën e Donatorëve, Meta tha se, “shikoni, ka edhe vende të tjera, vende diktatoriale që marrin kredi nga Banka Botërore. Unë duartrokas këtë nisëm, dhe falënderoj çdo vend që ka dhënë për popullin shqiptar, shpresoj që paratë të shkojnë aty ku duhet”.

I pyetur sesi del Rama pas suksesit në Konferencën e Donatorëve, presidenti Meta tha se, “jam gati të duartrokas për kryeministrin dhe qeverinë për çdo punë të mirë që kanë bërë. Aty bënë thirrje për transparencë sepse ato fonde janë për popullin shqiptar, as për presidentin as për kryeministrin. Është bërë një punë e madhe në këtë drejtim dhe nuk kam pse të jem ironik për diçka që e besoj.

I pyetur nëse i njeh ndonjë rol të mirë kryeministrit për këtë Konferencë, Meta tha se, “patjetër, unë jam gati që të duartrokas për kryeministrin, për qeverinë, për çdo punë të mirë që kanë bërë. Kemi bashkëpunuar me qeverinë për këtë Konferencë ”, tha Meta.

“Këto donacione janë për popullin shqiptar. Kemi solidarizim të vendeve me shqiptarët”, tha ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.