1.15 miliardë euro për Shqipërinë/ Çuçi: Sot kanë arsye të jenë të qetë familjet e prekura nga tërmeti

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Ministri i Plotfuqishëm për Menaxhimin e Emergjencave Civile, Bledi Çuçi përshëndeti Konferencën e Donatorëve ku u shpreh se fondet e mbledhura tejkaluan të gjitha pritshmëritë.

“1.15 miliardë euro për Shqipërinë. Konferenca e Donatorëve në Bruksel i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Solidaritet dhe besim i madh nga miqtë e partnerët e Shqipërisë, sukses dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për punën e madhe që na pret. Tashmë jemi të sigurt për të përballuar programin e rindërtimit dhe për të adresuar të gjitha pasojat e tërmetit apokaliptik të 26 nëntorit”-, tha Çuçi.

Çuçi tha se, tashmë qeverinë e pret një punë e madhe dhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme për të adresuar të gjitha problemet dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“Sot kanë arsye të jenë të qetë familjet e prekura nga tërmeti dhe të presin me durim ringritjen e shtëpive të tyre. Na pret një punë e madhe dhe e vështirë, por unë jam i bindur se do të ringrihemi dhe do të jemi më të fortë se më parë. Me të njëjtën kurajo dhe vendosmëri që përballuam situatën emergjente do t’ia dalim mbanë edhe me rindërtimin”, theksoi Çuçi.

“Faleminderit me zemër çdo shteti dhe institucioni ndërkombëtar që mbështeti sot Shqipërinë. Mirënjohje për jetë e mot”, u shpreh ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.