Emërimet në Kushtetuese, Meta: Përpiqen shpesh të më provokojnë me sjelljen e tyre jo bashkëpunuese

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë televizive deklaroi sot se presidenti do të jetë gjithmonë i qartë në përmbushjen e detyrave.

“Kemi dy beteja. Kemi shtetin e se drejtës që përfaqësohet nga presidenti dhe shtetin e propagandës, të bandës dhe presidenti do të jetë gjithmonë i qartë në përmbushjen e detyrave”, tha Meta.

“Ata përpiqen shpesh të më provokojnë me sjelljen e tyre jo bashkëpunuese. Dekreti për emërimin e parë i ka vajtur. Kemi një kështjellë të Kushtetutës dhe rilindjen, që më vjen keq ta quaj Partia Socialiste, që synon të bëjë aktin e fundit”-, u shpreh presidenti Meta.

“Ata t’i marrin pushtetet me ligje, unë do u përgjigjem me dekrete. Ata mund të vinë edhe me tanke në Presidencë, të jenë të sigurt që do u përgjigjem në mënyre të mrekullueshme. Para se të më shkarkojnë ata mua, i shkarkoj unë ata! Jam gati të përballem me çdo skenar”, tha Meta.

Meta tha se, “jemi bërë shteti më qesharak në botë falë kësaj mazhorance të papërgjegjshme, e cila fton Venecian që të na lexojë nenin 179 në Kushtetutë që e ka shkruar vetë Venecia. U shqetësuan për kallëzimin ndaj Dvoranit dhe çfarë bënë? Një ditë para se Venecia të vinte, këta miratuan ligjin natën dhe të fusin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga oxhaku dhe të dhunojnë Kushtetutën në mënyrë të hapur dhe flagrante. Nuk e thirra Venecian se më vinte turp t’i thërrisja dhe t’i pyesja pse e keni shkruar kështu”.

“Kushtetuta është e qartë. Mazhoranca thotë se do ta vjedh unë atë që të takon që këto PPP-të që janë 1 miliard euro dhe të gjitha çështjet e tjera t’i mbyllë. Parlamenti i tha që atë ligjin e miratuam dje mos e fusni. Si do të ndiheshit ju? Çdo gjë që është shkruar në Kushtetutë është bërë nga Venecia. Këtu kemi të bëjmë me rrëmbim të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.