Ballina Aktualitet

Certifikimi i ekspertëve që do të testojnë BKH-në/ Kim: SHBA-të qëndrojnë vendosmërisht me qeverinë për largimin e korrupsionit nga drejtësia

TIRANË, 4 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ “Një gur kilometrik tejet i rëndësishëm në jetën e Shqipërisë”, e cilësoi sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim certifikimin e 5 ekspertëve të poligrafit që do të testojnë punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në Ministrinë e Brendshme u zhvillua një aktivitet për certifikimin e 5 ekspertëve të poligrafit të SHÇBA, për BKH. E pranishme në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Brendshme, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim tha se, “është një gur kilometrik tejet i rëndësishëm jo vetëm në jetën e të diplomuarve, por edhe në jetën e Shqipërisë. Përparimi i Reformës në Drejtësi është një nga elementët më të rëndësishëm të së ardhmes tuaj”.

“Jam shumë e kënaqur që jam sot këtu për të shënuar suksesin e këtyre 5 studentëve, të cilët iu përkushtuan me zell përfundimit të 400 orëve mësimi sfidues teorik dhe praktik në shkencat e poligrafisë. Ata kanë studiuar, fiziologjinë njerëzore, psikologji, teknikat e intervistimit dhe interpretim të rezultateve të testit”, tha Kim.

“Instruktorja e tyre ka vlerësuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin e tyre dhe disiplinën e tyre gjatë gjithë kursit. Ndaj do të doja të merrja një çast për të falënderuar znj. Lori Kosiarek për punën e saj të jashtëzakonshme, për sipërmarrjen në këtë aventurë të re dhe inovative. Zonja Kosiarek i ka bërë këto studentë qendrën e jetës së saj gjatë muajve të fundit dhe ajo do të vazhdojë të punojë me ta për të vënë në praktikë aftësitë e reja të përftuara prej tyre”, u shpreh ambasadorja Kim.

“Më lini ta përsëris. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e të diplomuarve tanë, por gjithashtu një moment i rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Shqipëria ka ligjin e ri, ligjin për SPAK-un që kërkon që të gjithë punonjësit e BKH t’i nënshtrohen ekzaminimit me poligraf përpara punësimit. Këto ekzaminues dhe pajisjet e dhuruara nga SHBA do të sigurojnë aftësinë për t’u zbatuar në bazë të ligjit të ri të SPAK. Ata janë një tjetër armë në arsenalin e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin. Një tjetër mundësi për të zbatuar shtetin ligjor”, tha Kim.

“Përveç se për të festuar diplomimin e ekzaminuesve, jemi sot jemi këtu për themelimin e njësisë së poligrafit, brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Kjo njësi do të fillojë të kryejë kontrollin e kandidatëve për drejtor të BKH më vonë gjatë kësaj jave. Një hap vërtetë domethënës për ta vënë tërësisht në zbatim BKH. Drejtor Rrumbullaku, tashmë i takon organizatës tuaj të sigurojë përdorimin e efektshëm dhe efikas të kësaj njësie, në mënyrë të paanshme dhe që respekton të drejtat e njeriut. Z. Drejtor, me mbështetjen e ministrit Lleshaj jam besimplotë që ju do t’ja dilni mbanë”, tha Yuri Kim.

“SHBA do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë në këtë detyrë dhe në funksionet e tjera vendimtare gjatë vitit të ardhshëm. Sikurse me përparimin në fusha të tjera të Reformës në Drejtësi, SHBA qëndrojnë vendosmërisht me qeverinë e Shqipërisë, ndërsa largoni korrupsionin nga sistemi i drejtësisë penale”, tha Kim.

“Jemi sot këtu dhe 5 persona nuk është ndonjë numër i madh. Është thjesht një pikë ujë. Por gjithashtu i hedh sytë këtu tek busti i Skënderbeut dhe na e tregon gojëdhëna, legjenda, pak mijëra veta kundër një bote të tërë”, u shpreh Kim.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAkseleratorët ultramodernë në spitalin Onkologjik/ Rama: 23 mijë seanca radioterapie falas në vit
Artikulli tjetërProgrami i Rindërtimit/ 206 aplikime online në bashkinë e Kurbinit, Cara për ATSH: 4 zyra të ngritura në ndihmë të qytetarëve