Ballina Flash

Programi i Rindërtimit/ 206 aplikime online në bashkinë e Kurbinit, Cara për ATSH: 4 zyra të ngritura në ndihmë të qytetarëve

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Bashkia e Kurbinit, një ndër më të prekurat nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter mëngjesin e 26 nëntorit, ka ngritur 4 zyra në ndihmë të qytetarëve për aplikimet online të Programit të Rindërtimit.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Shqalsi Cara në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se deri tani janë kryer 206 aplikime gjithsej për të përfituar nga Programi i Rindërtimit.

Sipas Carës, një zyrë funksionale është në Laç, tek Pallati i Kulturës, një në njësinë administrative Mamurras, një në njësinë administrative Milot, si dhe një në njësinë administrative Fushë-Kuqe.

Ajo shpjegoi se procedura është e thjeshtë dhe aplikimi bëhet nga punonjësi i bashkisë, ndërsa qytetari që paraqitet firmos në fund të procesit, në formularin e plotësuar.

Qytetarët mund të zgjedhin nga programi i strehimit (RDS4-RDSS), granti për rindërtim (GR), granti për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara (DS1-DS2-DS3) sipas aktkonstatimeve.

Kryetarja e kësaj bashkie, Cara apeloi qytetarët të paraqiten pranë zyrave të ngritura, ku do të asistohen për plotësimin e aplikimit.

“Ftoj çdo qytetar të Kurbinit që ka patur dëmtime në banesë nga tërmeti i datës 26 nëntor të paraqitet pranë këtyre zyrave për t’u asistuar në plotësimin e aplikimit online nga stafi i angazhuar për këtë çështje”, deklaroi Cara./a.gjonaj/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCertifikimi i ekspertëve që do të testojnë BKH-në/ Kim: SHBA-të qëndrojnë vendosmërisht me qeverinë për largimin e korrupsionit nga drejtësia
Artikulli tjetërVIDEO/ “Anti KÇK” – Operacioni Forca e Ligjit u dërgon formularin dy të dënuarve: Deklaroni burimin e pasurisë