TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar uruan sot Kosovën për krijimin e Forcave të Armatosura.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndeti sot krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Duke e cilësuar këtë vendim si historik, Meta thekson se “ky vendim dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike”. “Vendimi historik i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Fryma euro-atlantike qëndron në themel të këtij ndryshimi historik”, tha Meta.
Në këtë ditë të veçantë, Kryeministri Edi Rama uroi Kosovën, SHBA-në dhe BE-në për këtë arritje madhore.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se “pas Pavarësisë, krijimi i ushtrisë së Kosovës është ngjarja e dytë e përmasave kombëtare dhe historike”. “Me Ushtrinë e saj Kosova do të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë. Nderim të rënëve për liri, mirënjohje miqve të mëdhenj që na mbështetën”, tha Basha. /m.m/























