PRISHTINË, 14 dhjetor/ATSH/- Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
106 deputetë të deputetë të Kosovës kanë votuar për projektligjin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në fillim të seancës, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi një minutë heshtje për luftëtarët e rënë gjatë luftës për liri, intelektualët, minatorët, bashkëatdhetarët dhe atdhetarët e rënë për liri.
Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi me 106 vota pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër, pr.ligjin për transformimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes.
Me unanimitet votash u miratua edhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pro votimit të ligjeve për ushtrinë janë deklaruar të gjitha partitë që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të Listës Serbe.
Kryetar i Komisionit parlamentar për FSK-në, Haxhi Shala në seancë u shpreh se ndihej i privilegjuar që kishte rastin t’i paraqesë projektligjet e rëndësisë së veçantë për shtetin e Kosovës.
Miratimet e secilit prej tre projektligjeve u përshëndetën edhe me ngritje në këmbë e duartrokitje të pjesëmarrësve në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë pasdite edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani bëhet Ministri e Mbrojtjes. /b.j/ /a.g/





















