TIRANË, 24 prill/ATSH/- “Shqipërisë i duhet të shtrijë reformat të ngjashme si ajo e drejtësisë edhe në fushat e tjera, për shkak të kohës së humbur.”
Kështu u shpreh Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin e ftuar në një emisionet televizive. Lidhur me çeljen e negociatave dhe procesit që i duhet Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ajo tha se nuk ka rëndësi data por procesi i modernizimit të vendit.
“Ju po e shihni këtë proces nga këndvështrimi i datave dhe disa frazave të caktuara politike. Ajo me të cilën ka të bëjë ky proces ka të bëjë me ndryshimin. Ndryshimi nuk do të ndodhë ditën që Shqipëria do të hyjë në BE, qoftë kjo ditë nesër apo pas 25 vitesh. Ndryshimi do të ndodhë përpara se të hyni në BE. Ndaj koha për ndryshim është tani. Ndonjëherë kjo nuk është e lehtë për t’iu shpjeguar por kjo është saktësisht që ka të bëjë me tërë procesin. Ka të bëjë me modernizimin e vendeve, me forcimin e institucioneve tërësisht funksionale që nuk do të varen nga disa personalitete, forca apo interesa politikë të tjerë. Ky është procesi i integrimit Europian”, shpjegoi Ambasadorja e BE-së në Tiranë.
Sakaq, ajo theksoi se si fillim duhet të vijë ndryshimi dhe më pas cilësia e ndryshimit. Duke prekur çështjen e forcimit të institucioneve, Valhutin tha se “BE po ndihmon Shqipërinë në këtë proces por asistenca dhe vëzhgimi do të shtohet edhe më shumë.”
A është Shqipëria gati të hapë negociatat?
Pyetjes nëse Shqipëria është gati që të hapë negociatat, Vlahutin i është përgjigjur duke cituar vendimin e Komisionit Europian.
“Komisioni Europian mendon se Shqipëria është gati të çelë bisedimet për anëtarësim dhe do të shohim se cili do të jetë konkluzioni i shteteve anëtarë. E dini që në qershor këshilli, shtetet anëtare do të marrin një vendim. Por, Komisioni Europian ka dalë në përfundimin se Shqipëria është gati të hapi negociatat dhe i ka rekomanduar këshillit ta marrë këtë në konsideratë. Ambasadorja gjatë intervistës thekoi se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e nisura
Sa kohë do ti duhet Shqipërisë?
Vlahutin thotë se kjo e fundit varet nga Shqipëria. /z.tosku/e.caushi/






















