Program i ri kombëtar për punësimin

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155699444666523/

TIRANË, 31 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Një program i ri kombëtar për punësimin “Punësimi 2021” po përgatitet për t’u lançuar nga qeveria së shpejti dhe synon të adresojë sfidat kryesore në këtë drejtim.

Për hartimin e Programit Kombëtar “Punësimi 2021” është angazhuar edhe grupi parlamentar socialist me një skuadër deputetësh e ekspertësh, për mbledhjen e opinioneve të sipërmarrjes në çdo qark.

I pranishëm në një aktivitet të organizuar në Vlorë, për punësimin, Kryeministri Edi Rama u ndal te objektivat që synohet të arrihen me këtë program, rezultatet që janë arritur deri tani në drejtim të nxitjes së punësimit, si dhe sfidat që dalin përpara në këtë drejtim.

“Shumë shpejt do të lançojmë Programin e ri Kombëtar ‘Punësimi 2021’ me të gjitha objektivat konkrete dhe rrugët e punësimit për njerëzit. Ne zotohemi t’i gjejmë punë të gjithë atyre që duan të punojnë, pa vënë kushtin ‘duam punë shteti”, tha Rama.

Këtë mesazh Kryeministri Rama ia drejtoi edhe të gjithë atyre që janë pjesë e fitores së PS-së, pasi sipas Kryeministrit, “nuk mundet dot të kërkojnë që fitorja të shpërblehet me një punë shteti për çdonjërin”.

“Ky do të ishte fundi i shtetit. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i orientuar drejt kompanive private, madje dhe duke i paguar për trajnimet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Programi i ri Kombëtar “Punësimi 2021″, nuk është një strategji në kuptimin e një dokumenti thjesht të shkruar, apo një plan i mbështetur mbi dëshira, por është një program i detajuar sektor për sektor, që adreson punësimin dhe ka objektiva, shifra dhe instrumenta për realizimin e objektivave”.

Shkalla e punësimit mbi mesataren e rajonit

Duke kthyer kokën pas, sipas Ramës, ka shumë arsye për t’u inkurajuar në raport me rezultatet në nxitjen e punësimit. “Nëse në tremujorin e parë të 2014 shkalla e punësimit ishte 41.5 për qind, në tremujorin e fundit 2017, shkalla e punësimit është 57.7 për qind. Dhe jemi mbi mesataren e rajonit nga kjo pikëpamje. Por pavarësisht se papunësia në 2014 ishte 18.2 për qind dhe sot është 13.2 për qind kjo nuk do të thotë shumëçka në raport me nevojën e jashtëzakonshme për punësim”, tha Rama.

Megjithatë, sipas Kryeministrit, “jemi absolutisht të shqetësuar për të adresuar problematikat shumë komplekse që kanë të bëjnë me punësimin”.

Kryeministri theksoi se vetëm në Vlorë, ka një shifër shumë konkrete nga muaji mars, sa i takon atyre që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

“Kemi 28 persona që kanë dalë nga ndihma ekonomike, 4 prej të cilëve u zbulua që nuk jetojnë në Shqipëri. 24 të tjerët janë që të hënën në punë, nëse duan punë. Janë 6 subjekte apo kompani me të cilat ka ndërmjetësuar Kryetari i Bashkisë dhe Zyra e Punës, që i janë përgjigjur pozitivisht nevojës që të 24 personat të shkojnë të punojnë”, tha Rama.

Detyra jonë orientimi drejt tregut të punës, shteti nuk është Zyrë Punësimi

“Dje pasdite kemi pasur një takim me Asamblenë Socialiste të Vlorës ku një kryetar organizate kërkoi punë në shtet për anëtarët e organizatës, pretendonte se kishte 60 anëtarë. I thashë se të 60 anëtarët e organizatës do t’i punësojmë në privat dhe nuk pranoi, sepse sipas tij ‘njerëzit tanë partia nuk duhet t’i lërë në duart e privatit, por në shtet”, tha Rama.

Kryeministri ritheksoi se “në shtet hyjnë njerëz në punë për të bërë detyrat e shtetit, por shteti nuk është zyrë punësimi”.

Po ashtu, kryeministri solli shembullin e një tjetër shtetasi nga Kukësi, i cili edhe pse kishte deklaruar se jetonte në kushte ekstreme varfërie, nuk pranoi 4 ofertat për punë që iu ofruan për vete dhe për djalin, vetëm sepse ishin në sektorin privat.

Kapacitete profesionale për t’iu përgjigjur investimeve

Kryeministri Rama u shpreh shumë i inkurajuar nga vizita në shkollën profesionale industriale në Vlorë. “Një shkollë fantastike. E kam parë para 3 vitesh në çfarë gjendje ishte dhe e pashë dje, një ndryshim fantastik ajo që ndodh aty, garanci për të ardhmen. Ata që në atë shkollë marrin zanate e kanë të ardhmen të garantuar kudo”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Rama nënvizoi se programi i ri kombëtar “Punësimi 2021″, këtu në Vlorë, ka një prerje shumë inkurajuese, sepse këtu do të kemi zhvillime të rëndësishme me pozitivitet për ekonominë”.

Kryeministri veçoi këtu projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës që fillon këtë vit. “Ministria është në fazën e negociimit të kontratës me investime me vlerë të konsiderueshme që krijon menjëherë mundësi për investim, qoftë si rezultat i investimeve  private zinxhir që do të sjellin shumë mundësi. Por a jemi ne në gjendje t’i përgjigjemi me kapacitete profesionale, apo do marrim saldatorë turq, siç ka marrë edhe ndërtuesi që po ndërton Stadiumin e ri Kombëtar, sepse nuk ka saldatorë të mjaftueshëm shqiptarë?”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, është sfida e madhe e zhvillimit për nesër dhe nxitjes së punësimit sot.

Kryeministri tha se qeveria ka vënë në dispozicion nxitje financiare për programin e trajnimeve. Kemi potencial për 10 mijë njerëz që mund të fillojnë trajnimet me pagesë”, tha Rama.

Shumë shpejt hapet aeroporti i Kukësit, linja low cost 

Po ashtu, Kryeministri Rama u shpreh se “shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit”. “Kanë filluar negociatat, dhe do të ketë edhe Kukësi aeroportin e vet, shumë më të vogël se ai i Vlorës, por do t’i shërbejë një hapësire shumë të rëndësishme shqiptare”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është një aeroport i garantuar me një fluks të lartë, pasi mbulon të gjitha fluturimet me Anglinë, Zvicrën etj, pa llogaritur edhe shqiptarët e Kosovës”.

“Do të jetë një aeroport specifik me çmime të ulëta”, tha Rama.

Kantiere të mëdha në gjithë vendin, hapen vende pune 

Kryeministri informoi se kemi 4 kantiere shumë të mëdha që do të hapen në të gjithë vendin. “Kemi kantierin e Rrugës së Arbrit, aksi Milot-Balldren me tunelin, që do të bëjë të mundur që vajtja nga Lezha në Shkodër të mos jetë më nga një xhep fals, por në autostradë. Po ashtu kemi kantierin Thumanë-Kashar, kantierin tjetër të Ujit të Ftohtë në Vlorë deri në tunelin e Llogorasë”, tha Rama.

Këto, sipas tij, janë kantiere me programin e partneritetit publik-privat. “Kemi kantierin e rrugës që do të lidhë gjithë zonën e Sarandës me Gjirokastrën përmes aksit Delvinë-Kardhiq dhe që shkurton kohën dhe një kantier që hapet me buxhetin e shtetit për hyrjen në Tiranë tek Shqiponja”, vijoi Rama.

Po ashtu, Kryeministri u shpreh se ka mundësi për të filluar me projektin Kashar-Rrogozhinë-Vlorë, që lidhja Tiranë-Vlorë të bëhet direkt. “Aty synojmë një tjetër skemë, skemën e pagesës. Një rrugë me pagesë ku mund të vish nga Tirana në Vlorë për gjysmën e kohës”, tha ai.

Këto janë kantieret, ku sipas Ramës, sfida është që të jemi gati për gjitha ato vende pune që hapen.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.