Aeroporti i Vlorës, portë hyrëse për investimet që sjellin zhvillim

TIRANË, 31 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të rrisë shumë interesin industrial në gjithë zonën, duke u bërë një portë hyrëse për turizmin, por edhe për investimet që sjellin zhvillim ekonomik.

Kështu deklaroi të shtunën nga Vlora, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, gjatë një takimi ku ishte i pranishëm edhe Kryeministrit Edi Rama, dhe u diskutua për nxitjen e punësimit.

Në këtë drejtim, Gjiknuri theksoi domosdoshmërinë që vendi t’i përgjigjet me kapacitete profesionale, projekteve të tilla madhore investuese.

Vetëm në Vlorë, tha Gjiknuri, janë 4 mijë vende pune bosh. “Ka punë për hotele, për shumë njësi prodhimi në Vlorë, por nuk gjenden njerëzit e duhur për t’u punësuar, edhe pse mund të jenë vende pune me të ardhura të mira”, shtoi ministri.

Ndërkohë që sot, sipas tij, vendi ka nevojë të madhe për teknikë, pasi ka shumë fronte pune që do të hapen në vijim, për shkak të investimeve masive që do të bëjë qeveria shqiptare.

“Ndërtimi i bypass-it të Fierit dhe Vlorës, por edhe programi ambicioz i Partneritetit Publik-Privat do të kërkojë njerëz dhe tregu i punës do të jetë edhe më i shtrenjtë për specialistët”, shtoi Gjiknuri.

Sipas tij, “ka pak specialistë dhe në Shqipëri ka sot kompani shqiptare që marrin punonjës nga Turqia që ndërtojnë vepra publike, sepse ne nuk kemi mndësi t’i ofrojmë njerëz të kualifikuar”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.