TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kadastra e Vlorës po punon për plotësimin e dokumentacionit në disa blloqe për kalimin e tokës bujqësore nga përdorim në pronësi.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, specialistët po kryejnë kontrollin e detajuar të dokumentacionit referuar përcaktimeve në kuadrin ligjor, verifikimet në terren për të përcaktuar me saktësi pozicionin dhe sipërfaqen e parcelave dhe afishimin publik të listave dhe trajtimin e çdo pretendimi apo ankese të qytetarëve.
Kadastra thotë se është në bashkëpunim të ngushtë me njësitë e qeverisjes vendore, prefekturat dhe Këshillat Bashkiakë për të siguruar finalizimin e këtij procesi.
Pasi kryhet verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit, dosjet përfundimtare delegohen për miratim pranë këshillave bashkiakë dhe prefektit.
Në përfundim të procedurës administrative, përfituesit pajisen me aktin individual të kalimit në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore. /j.p/






















