Ballina Aktualitet

Rama: Risi në 2025 asistenti virtual me zë dhe figurë në platformën e-Albania

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “këtë vit kemi pasur një rritje të numrit të përdoruesve të platformës e-Albania që ka arritur në afro 3 milionë e 250 mijë përdorues”.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama tha se “ka 14 milionë shërbime të ofruara nga e-Albania dhe 9.9 milionë dokumentet me vulë elektronike të gjeneruara për t’iu dhënë të gjithë përdoruesve shërbimin ishin radha me rryshfete, kohë e humbur, ishin shpenzime karburanti e njëherësh fizike për të marrë atë që sot e marrin duke klikuar në platformë dhe që iu vjen falas”.

“Në fillim të vitit të ri do të kemi një tjetër zhvillim domethënës që kam paralajmëruar më parë asistenti virtual, i cili është futur tanimë në sistemin e shërbimeve e-Albana dhe i është  përgjigjur mbi 1 milion pyetjeve gjatë vitit 2024 do të kalojë nga një asistent me shkrim në një asistent që do të flasë me këdo që do të kërkojë një shërbim dhe jo vetëm do të flasë por do t’i bëjë edhe shërbimin”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo falë punës që po bëjmë qysh kur e kam deklaruar këtë risi ngushtësisht me ekipin e novacioneve të Microsoftit dhe falë punës së shkëlqyer të AKSH-it dhe drejtueses së AKSH-it, që ka bërë të mundur që ne të jemi një nga vendet avangarde në drejtim të shërbimeve online”.

“Jemi një nga vendet avangarde për një nga arsyet më të thjeshta që të bëhesh avangarde në fusha të tjera kur je në një klub me anëtarë aq të fortë, të rritur e zhvilluar është e pamundur, por që të bëhesh avangrade në fushën e teknologjisë kjo është jo vetëm e mundur, por është bekimi i kohës për vendet në zhvillim sepse për Gjermaninë që të kthejë anijen e madhe të një administrate shtetërore që ka qenë në kohën e zhvillimit linear një model për të gjithë botën dhe të fusë në këtë anije teknologjinë digjitale është më e vështirë se për vende si yni që e kemi nisur këtë punë me një varkë”, tha Rama.

Kjo, vijoi Kryeministri Rama, është arsyeja pse nëse shikoni listën e vendeve që kanë bërë përparime më të  mëdha në aspektin e futjes së teknologjisë në funksion të reformimit të administratës dhe shërbimeve do të gjeni vende që nuk hyjnë tek vendet më të mëdha në të gjitha gjërat e tjera.

“Kjo është arsyeja pse Estonia, e cila e nisi rrugën e vet pas rënies së Bashkimit Sovjetik njësoj si Lituania dhe Letonia u bë një avangard sepse vuri një vëmendje të veçantë tek teknologjia. Në këtë shërbim të platformës e-Albania ne jemi sot që flasim një nga vendet avangarde dhe me futjen e asistentit virtual më zë dhe figurë jo vetëm në përgjigje të pyetjeve, por edhe dhënia e shërbimit do të kalojë në një nivel të ri”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “ne nuk kemi pasur një administratë që kishte motivimin, por edhe mundësitë të shërbente me dinjitet, sot e kemi falë një transformimi epokal që kemi bërë përmes kalimit të shërbimeve,  cilat deri dje duhej të mbahej radha në shi e diell dhe i binte të paguaje një bakshish të merrje edhe një certifikatë në gjendjen civile, në xhepin tonë aty ku kemi telefonin celular”, tha Rama.

/k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: 216 laboratorë Smart në shkolla, synojmë 970 në total
Artikulli tjetërRama: Shërbimi digjital në Shqipëri me vlerësim ndërkombëtar