TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se për portin e ri të Durrësit është rishpallur gara ndërkombëtare për ndërtimin e tij.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se kjo garë u rishpall, pasi në shpalljen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë të vendosur, u gjetën pasaktësi.
“Porti i ri i Durrësit është ri shpallur gara ndërkombëtare, pasi në shpalljen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë që ne kemi vendosur me Royal Haskoning u gjetën pasaktësira dhe bëhej fjalë për një numër të madh kompanish të mëdha ndërkombëtare dhe u rikthye për të saktësuar çdo gjë, sepse do të jetë i parë, faktikisht pas shumë e shumë vitesh një port i ri që nis nga e para dhe jo si zgjerim ose adaptim në Europë, se të gjitha portet e tjera janë porte që janë ndërtuar në shumë kohë”, u shpreh Rama.
“Ky do të jetë një port që do të nisë nga e para gjithë eksperienca nevojat e adresuara e bëjnë një vepër arti në fushën e infrastrukturës publike”, tha Rama.
“Jemi në terma shumë pozitivë edhe me NATO-n. Kërkesa jonë ka kaluar procesin e vlerësimit teknik, ka marrë vlerësimin më pozitiv dhe tani është në tryezën e vlerësimit strategjik se kështu janë stadet e vlerësimit”, tha Rama.
Lidhur me aeroportin e Vlorës, Rama tha se “ambicia është që sezonin e ardhshëm të fillojnë fluturimet e para”. /k.s/j.p/






















