Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Rishpallet gara ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se për portin e ri të Durrësit është rishpallur gara ndërkombëtare për ndërtimin e tij.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se kjo garë u rishpall, pasi në shpalljen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë të vendosur, u gjetën pasaktësi.

“Porti i ri i Durrësit është ri shpallur gara ndërkombëtare, pasi në shpalljen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë që ne kemi vendosur me Royal Haskoning u gjetën pasaktësira dhe bëhej fjalë për një numër të madh kompanish të mëdha ndërkombëtare dhe u rikthye për të saktësuar çdo gjë, sepse do të jetë i parë, faktikisht pas shumë e shumë vitesh një port i ri që nis nga e para dhe jo si zgjerim ose adaptim në Europë, se të gjitha portet e tjera janë porte që janë ndërtuar në shumë kohë”, u shpreh Rama.

“Ky do të jetë një port që do të nisë nga e para gjithë eksperienca nevojat e adresuara e bëjnë një vepër arti në fushën e infrastrukturës publike”, tha Rama.

“Jemi në terma shumë pozitivë edhe me NATO-n. Kërkesa jonë ka kaluar procesin e vlerësimit teknik, ka marrë vlerësimin më pozitiv dhe tani është në tryezën e vlerësimit strategjik se kështu janë stadet e vlerësimit”, tha Rama.

Lidhur me aeroportin e  Vlorës, Rama tha se “ambicia është që sezonin e ardhshëm të fillojnë fluturimet e para”. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version