Ballina Ekonomi

Rama: Tuneli i Murrizit shpresoj të hapet në pranverë, punohet në akset e Korridorit Blu

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në bilancin e fundvitit sa i përket investimeve në infrastrukturë, tha se këtë vit ka pasur zhvillime domethënëse pasi shumë nga punët e nisura kanë përfunduar. Kreu i qeverisë përmendi disa nga rrugët kryesore të ndërtuara.

“Tuneli i Llogorasë, rruga Thumanë-Kashar, Unaza e Madhe e Tiranës, e cila impakton 1/3 e popullsisë që banon në kryeqytet. Kemi lotin e parë të Elbasan-Qafë Thanë, segmentin Orikum-Dukat, segmentin Korçë-Ersekë, i cili përfundoi dhe e gjithë ajo histeri që u ngrit për një shembje në një segment të caktuar u tret, gjithçka është paguar brenda garancisë nga kompania dhe nuk ka kushtuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit shqiptarë. Vepra nuk ishte ende e përfunduar,” tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal në fjalën e tij edhe te çështja e ndërtimit të tunelit të Murrizit, për të cilin tha se gjatë punimeve kompania është përballur me një gjeologji që ka sjellë një surprizë të hidhur. Këtë, sipas kreut të qeverisë, e përballon kompania koncesionare.

“Po marr një pikë kyçe ku na ka goditur fort syri i keq, tuneli i Murrizit dhe gjeologjia e tij. Po bëhet një punë kolosale për të përballuar një gjeologji që solli një surprizë të hidhur. E gjithë ajo punë kolosale po bëhet pa asnjë qindarkë shtesë nga buxheti i shtetit, për një arsye të thjeshtë PPP. Kur PPP janë siç duhet barra ndahet dhe në këtë rast atë surprizë gjeologjike e përballon kompania dhe jo buxheti. Shpresojmë shumë se në pranverë të hapet dhe ai”, tha Rama.

Kreu i qeverise bëri me dije edhe fituesit që do të ndërtojnë disa nga akset rrugore në vend.

“Është shpallur fituesit për segmentin e ri Milot-Thumanë, është shpallur fituesi për segmentin e ri Kashar-Lekaj; është shpallur fituesi për segmentin Lekaj-Fier. Të gjitha këto janë segmente të Korridorit Blu. Më kujtohet kur unë e kam prezantuar Korridorin Blu në fushatë shumë kohë më parë. Ne ishim në opozitë. Pati një të papërmbajtur gaz nga ata që rrugët i lanë rrugëve të gjitha. Ky është Korridori Blu dhe është shpallur procedura për segmentin Milot-Balldren, ndërkohë vijon zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë; vazhdon aksi Elbasan-Papër dhe aksi Papër-Ura e Grykshit, të gjitha këto akse të Korridorit VIII.

Ka filluar puna, e keni parë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, me rehabilitimin më në fund të aksit Kombinat-Ndroq-Plepa, që ishte një skandal. Do të donim ta kishim bërë më parë, por gjithmonë mundësitë, kur do të bësh më shumë, duhet të kesh më shumë mundësi, apo jo? Ju e dini shumë mirë dhe të gjithë e dimë shumë mirë në jetën tonë personale, por kur vjen puna tek punët e shtetit, shumëkush kujton se është thjesht çështje dëshire. Po të ishte thjesht çështje dëshire, do t’i kishim bërë të gjitha me kohë. Vazhdon rehabilitimi i rrugës Fier-Kthesa e Patosit-Fratar; ndërtimi i segmenteve Berat-Ballaban, një zotim i kahershëm, por një segment strategjik për zhvillimin e turizmit; Qafa e Buallit-Martanesh, ju kujtohet, nuk di kush nga ju, se tani ka në kaluar vite, po ndoshta ndonjërit nga ju i kujtohet, kur kemi qenë në Martanesh, që në mos gabohem e bëmë rrugën me një kohë më të gjatë sesa rruga Kiev-Londër. Sot po ndërtohet, po sistemohet dhe po asfaltohet Ura e Çerenecit në Peshkopi”, tha Rama. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Rishpallet gara ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit
Artikulli tjetërBERLIN – Gjermania planifikon të zgjasë kontrollet kufitare