Ballina Aktualitet

“Sterilizimi”, GJKKO kërkon rëndim të akuzës për Beqajn

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme ka kërkuar që të rikualifikohet akuza për sh-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn, ish-zv/ministrin, Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin  Ilir Rrapaj në lidhje me dosjen e “Sterilizimit”.

Trupa gjykuese ka kërkuar që Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj të akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”.

Sipas medieve, SPAK Prokuroria thotë se pranon të ngrejë akuzat ashtu siç i sugjeron gjykata, pavarësisht se mendon se akuzat e ngritura më herët  ishin të drejta.

Më herët, SPAK ngriti akuzën penale të “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin Beqaj lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro, në vitin 2015.

Ndërsa për Rrapajn dhe Rrjepajn ngriti akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Seanca gjyqësore është shtyrë për në 9 janar për t’ju lënë kohë avokatëve qe të japin qëndrimet e tyre mbi sugjerimin e gjykatës për rikualifikimin e veprës penale.

Më 30 Mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej Gushtit 2023 ndodhen në burg.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTOKIO – Japonia fillon kërkimet për të bërë realitet jetën në Hënë
Artikulli tjetërMalaj: 1,4 miliardë lekë më shumë për fermerët, mbështetje investimeve në bujqësi