BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i konsideron të pajustifikuara kritikat, ndonjëherë të ashpra, të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky ndaj kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
”I thashë Zelenskit disa herë. Ndaloni së kritikuari Olaf Scholz, sepse mendoj se nuk është e drejtë. Ajo që Scholz ka bërë për Ukrainën është mbresëlënëse”, tha Rutte.
”Scholz kishte ndihmuar që Gjermania të ishte e dyta pas Shteteve të Bashkuara për sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Kjo është një arritje për të cilën Kievi mund të jetë mirënjohës”, theksoi Rutte.
Në të njëjtën kohë, Rutte e bëri të qartë se, ndryshe nga Scholz, ai do të furnizonte Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi ”Taurus” dhe nuk do të vendoste asnjë kufizim në përdorimin e tyre.
“Në përgjithësi ne e dimë (…) se kjo lloj aftësie është shumë e rëndësishme për Ukrainën”, tha ish-kryeministri holandez.
Zelensky kohët e fundit e kishte kritikuar Scholzin se kishte folur në telefon me presidentin rus Vladimir Putin kundër vullnetit të tij.
Ai gjithashtu shprehu vazhdimisht moskuptimin e tij për refuzimin e Scholz për të dorëzuar raketat ”Taurus”, të prodhimit gjerman, që mund të godasin thellë në territorin rus./ /os/





















