TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot objektivin historik të bashkimit përfundimtar në familjen e madhe europiane të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa u shpreh se Kosova duhet ta hedhë vallen e kësaj kohe të re të shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj.
Në mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve në Prishtinë, Rama citoi fjalët e Ibrahim Rugovës
“Plot 20 vite më parë, në vitin 2024 Presidenti gjithnjë e më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike të shqiptarëve, Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se: “Objektivat e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-në. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë progresi, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Europës dhe të botës dhe kanë shancin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe europiane””, citoi Rama.
Kryeministri theksoi se “këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka që na duhet dhe na mjafton për të mos e e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar në familjen e madhe europiane të të dy shteteve tona si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si ‘trimi i mirë me shokë shumë”.
“Por ndërkohë që Shqipëria ecën tanimë me hapa të shpejtë, përfundimisht të pandalshëm në udhëtimin e saj për t’u bashkuar me Europën, parafytyrojeni se sa më krenarë do t’i bënim gjithë shqiptarët anembanë, se çfarë vlere ende më të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarisë dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën; sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht, duke hedhur vallen e kësaj kohe të re të shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj; sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit si një shembëlltyrë dinamike dhe si një mishërim i vlerave europiane në këtë rajon ku mos e harroni kurrë, jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e perëndimit”, u shpreh Rama. /j.p/






















