GJENEVË, 6 gusht /ATSH/ – Një tendencë e vazhdueshme rritëse i shpërthimeve lokale të virusit të Nilit Perëndimor po vihet re, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik grek (NPHO) njoftoi në fund të korrikut rastin e parë të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor për vitin 2024, ku vendi i ekspozimit ndaj virusit ishte rajoni i Larisës, sipas agjencisë greke të lajmeve, ANA.
Pacienti paraqiti simptoma të encefalitit të lehtë, i cili filloi në 10 ditët e fundit të qershorit dhe ka dalë nga spitali.
Rastet e infeksioneve të virusit të Nilit Perëndimor janë tani një dukuri e zakonshme gjatë muajve të verës pas vitit 2010, ndërsa NPHO fajësoi temperaturat e buta të dimrit për shfaqjen relativisht të hershme të sëmundjes në vitin 2024.
Për virusin e Nilit Perëndimor, në vitin 2023, vendet e BE-së raportuan 713 raste, të marra nga 123 rajone të ndryshme të nëntë vendeve të BE-së.
Njëzet e dy nga këto rajone u raportuan si vende të infeksionit për herë të parë në 2023.
U raportuan gjithashtu 67 vdekje.
Numri i rasteve të raportuara është më i ulët se në vitin 2022, me 1 133 raste, por numri i rajoneve të prekura është më i larti që nga kulmi në vitin 2018, duke treguar qarkullimin e gjerë gjeografik të virusit.
”Evropa tashmë po sheh se si ndryshimet klimatike po krijojnë kushte më të favorshme që mushkonjat pushtuese të përhapen në zonat e paprekura më parë dhe të infektojnë më shumë njerëz. Rritja e udhëtimeve ndërkombëtare nga vendet endemike do të rrisë gjithashtu rrezikun e rasteve të importuara dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe rrezikun e epidemive lokale”, paralajmëron Andrea Ammon, drejtor i ECDC.
”Masat e mbrojtjes personale të kombinuara me masat e kontrollit të vektorëve, zbulimin e hershëm të rasteve, mbikëqyrjen në kohë, kërkimin e mëtejshëm dhe aktivitetet e ndërgjegjësimit janë thelbësore në zonat më të rrezikuara të Evropës”, theksoi ai./ /os/























