TIRANË, 22 prill /ATSH/ Policia kufitare e Portit të Durrësit njoftoi sot se arrestoi sot një person për trafik armësh, teksa një tjetër u procedua për mosdeklarimin e të ardhurave.
Policia e Durrësit njoftoi se gjatë kontrolleve në portin kufitar të Durrësit, po ashtu u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 16 300 euro dhe 100 paund.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të Shqipërisë, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje”, thuhet në njoftim.
Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/a.f/























