Ballina Flash

Kumbaro: Vende të reja rritën numrin e turistëve, në janar kryesuan italianët, polakët e spanjollët

Turiste ne Gjirokaster

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Gjatë muajit janar 2024 në vendin tonë numri i turistëve të huaj u rrit 30 % në krahasim me vitin 2023 dhe ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411,8 %.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur në rrjetet sociale se rritja e numrit të turistëve është një ogur i mirë për një vit fantastik.

“Mes turistëve nga tregje të konsoliduara e atyre të reja që zgjodhën ta zbulojnë e shijojnë Shqipërinë në janar, duke qenë prova e qartë dhe oguri i mirë për një vit fantastik, turizmi po konfirmohet si kartëvizita më e dashur e Shqipërisë në botë”, shkruan Kumbaro.

“Vetëm në janar pritëm 30 % më shumë flukse vizitorësh krahasuar me vitin 2023, teksa vende të reja shtojnë peshën e tyre në hartën e prurjeve turistike”, vijon Kumbaro.

Ndërkohë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ka publikuar dhe shifrat. Gjatë muajit janar 489,599 turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë, ose 30 % më shumë se janari i vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë, ose rreth 30 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndjekur nga vizitorët italianë të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50,4 % më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Mali të Zi me 52,662 hyrje ose +32,6 % krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.

Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411 %, Rumania me mbi 120 %, Spanja me rritje 104 %, Anglia me 10,545 vizitorë apo 62 % më shumë se janari i vitit të kaluar, Suedia me një rritje 73 % e Franca me rreth 3 mijë vizitorë, apo 41,7 % më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak7914 vendime të Gjykatës së Lartë gjatë 2023-shit, mbi 23 mijë dosje të prapambetura
Artikulli tjetërQIPRO – Presidenti i kërkon Gjermanisë ndihmë për mosmarrëveshjen me Turqinë