TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Rreth 30 përfaqësues të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me dhunën në familje, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut u mblodhën në tryezën vjetore të Prezencës së OSBE-së në nder të 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Pjesëmarrësit diskutuan për arritjet, sfidat dhe veprimet e ndërmarra gjatë vitit 2023 për të çuar përpara “lirinë, barazinë dhe drejtësinë për të gjithë”.
Prezenca e OSBE bëri të ditur në një postim se, gjithashtu, duke qenë se liria dhe drejtësia janë të ndërthurura me heqjen e diskriminimit dhe rritjen e respektit institucional të të drejtave dhe lirive të njeriut, takimi ofroi një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë civile për rolin e saj vendimtar për të mbrojtur zbatimin e rekomandimeve të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut.
/r.e/























