TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Policia e Shkodrës identifikon dhe shpall në kërkim një 24-vjeçar, i cili dyshohet të jetë si autor i vrasjes së 33-vjeçarit, Valter Fierza. Ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Hot i Ri.
Sipas njoftimit, Policia veç autorit të dyshuar, ka shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në konflikt. Sipas policisë, vrasja e 33-vjeçarit ka ardhur pas një konflikt të çastit. Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se e posedonte 24-vjeçari dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
“Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi V. F., është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të”, njofton Policia.
“Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi””, vijon njoftimi i Policisë.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi Valter Fierza, Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë”, bën të ditur Policia.
“Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje. Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë.
Policia e Shkodrës mbrëmjen e të enjtes njoftoi se, rreth orës 21.48, në fshatin Hot i Ri, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Valter Fierza, rreth 33 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër.
/r.e/























